Rindërtimi në Kavajë, Rama: Bravat tona të sigurta, kujdes mos ua bllokojnë ata me dy gishtat lart

Nga A2 CNN
29 Mars 2022, 11:27 | Aktualitet
Rindërtimi në Kavajë, Rama: Bravat tona të sigurta, kujdes

Nga Kavaja ku ndodhej, për t’u dorëzuar çelësat e banesave familjarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kryeministri Edi Rama nuk kurseu ironinë për kundërshtarët e tij politikë. Familjeve që ishin të pranishëm në këtë ceremoni, kreu i qeverisë u siguroi që bravat që ai po u dorëzon janë të sigurta, por të kenë kujdes se “mos ua bllokojnë të tjerët me dy gishtat lart”.

“Pas kaq shumë pune të madhe dhe jo pak vështirësi dhënia e çelësave për këto familje dhe për shumëkënd nga ju që ka qenë mosbesues dhe nëse ka ndonjë që nuk beson se është realitet dhe jo ëndërr, por të gjithë ju që keni ardhur është e sigurt se bravat janë të sigurta, të lira, bëni kujdes se mos vijnë të tjerët dhe ua bllokojnë prapë se jeni dhe nga Kavaja dhe ngatërroheni me ato dy gishtat”.

Rama tha se programi i rindërtimit u ka shërbyer të gjithëve pa dallim majtas apo djathtas, duke u dhënë mundësi fëmijëve dhe të moshuarve të jetojnë në ambiente komunitare.

“Po për ne ky program u ka shërbyer të gjithëve pa dallim pa parë majtas e djathtas, vetëm drejt duke bashkuar forcat dhe të gjithë në komunitete të reja. Krijohet një zonë e dytë e një lagjeje të tërë. Aty mbrapa ka mundësi për terrene sportive për të rinjtë e fëmijët. Ka mundësi për mjedis miqësor për fëmijët, ambient për të moshuarit që jeta e këtij komuniteti të jetë komunitare dhe jo thjesht secili në banesën e vet. Pavarësisht gjithçkaje që ju dallon nga dita e votimit, ne jetojmë së bashku me halle e sfida të përbashkëta.”

206 banesat e bllokut të dytë në Kavajë, sipas Ramës, janë reale me hipotekë dhe falas dhe të ndërtuara nga buxheti i shtetit.  

“Nuk keni asnjë detyrim financiar se gjithçka është e paguar dhe gati që ju vetëm ta gëzoni me njerëzit e familjes suaj shtëpinë tuaj të re. Me përjashtim të 500 në Laç të gjitha janë ndërtuar 100% nga buxheti, kurse fondet nga donatorët janë fonde që përdoren prej tyre jo nga ne, dhe BE po rindërton shkollat, ndërsa fazën e parë e kemi kryer ne.”

Ai i siguroi banorët se edhe kriza e rritjes së çmimeve do të kalojë, sikurse tërmeti dhe pandemia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos