Rinovimi i fushës mbetet problemi i përhershëm, mbyllet “Arena Kombëtare”

Nga A2 CNN
3 Gusht 2023, 14:28 | Futboll
Rinovimi i fushës mbetet problemi i përhershëm, mbyllet

Një milion euro investim, që është zeruar në harkun e dy vjetëve. Arena Kombëtare mbyll dyert për të nisur sërish procesin e rinovimit të tapetit. Terreni i lojës në stadiumin më të madh në vend është në gjendje tejet të keqe.

Edhe pse në gusht të vitit 2021 u realizua vendosja e tapetit hibrid, teksa u blenë edhe sistemet e posaçme për ventilimin dhe ndriçimin e barit, problemi mbetet. Fusha është çështja më akute e impiantit modern, prej hapjes së tij në vitin 2019.

Kjo është arsyeja, përse ndeshja e Tiranës me Beshiktashin është e fundit që luhet në Arenën Kombëtare. Federata e Futbollit vendosi të mbyllë dyert, në mënyrë që fusha të riparohet në kohë për ndeshjen kualifikuese të Kombëtares në shtator, përballë Polonisë.

Duke qenë se ajo sfidë cilësohet vendimtare për ambicien e Shqipërisë, që të luajë në finalet e Europianit 2024 në Gjermani, qëllimi është që fusha të jetë në gjendje optimale. Mbyllja e stadiumit do të bëjë që ndeshjet europiane të Partizanit të spostohen në Elbasan.

Impianti i ri në pronësi të kampionëve të Shqipërisë ende nuk është certifikuar për ndeshje ndërkombëtare, duke detyruar të kuqtë që të largohen nga kryeqyteti për sfidën e turit të tretë me Valmeira-n.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu