Tirana shpreson te kualifikimi, sot gjigantët turq të Beshiktash zbresin në "Air Albania"

Nga A2 CNN
3 Gusht 2023, 08:59 | Futboll
Tirana shpreson te kualifikimi, sot gjigantët turq të Beshiktash

Sot në mbrëmje Tirana luan ndeshjen e kthimit përballë gjigantëve turq të Beshikatashit. Edhe pse ndeshja e parë përfundoi 3-1 në favor të turqve, bardheblutë janë optimistë se mund të bëjnë surprizën e madhe.

Në prag të sfidës, trajneri Orges Shehi theksoi se e vetmja gjë që kërkon nga skuadra është të bëjnë një ndeshje dinjitoze.

Përpos vështirësive dhe potencialit të kundërshtarit, do të futemi në fushë për të bërë më të mirën tonë. Kjo është përballje me dy takime, çdo skuadër bën maksimumin në të dytën që të kthejë rezultatin në favor. Por gjithsesi shanset duhet të kalojnë nëpërmjet lojës, ka situata në ndeshje që të afrojnë apo largojnë nga objektivi.

Orges Shehi

Në konferencën për shtyp ishte dhe futbollisti Gentian Selmani, i cili tregoi se ekipi nuk i ka humbur shpresat. Secili prej tyre do të japi maksimumin në fushë.

Atmosfera është e mirë, kemi punuar mirë këto ditë. E kemi përgatitur ndeshjen me video-analiza e çdo gjë. Normalisht humbëm të parën, por kemi 90 minuta, apo 120, nëse kemi fat. Shpresojmë të bëjmë edhe më mirë, të japim maksimumin si në ndeshjen e parë, edhe në të dytën e që gjërat të shkojnë sa më mirë. Normal që jemi të motivuar, është ndeshje europiane, ndaj një ekipi të fortë si Beshiktashi.

Gentian Selmani

Takimi Tirana-Beshiktash do të luhet në orën 20;00 në stadiumin kombëtar në Tiranë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos