Ylber Ramadani transferohet në Serinë A italiane. Kjo është lëvizja më e bujshme e verës, për sa i takon futbollistëve shqiptarë. Mesfushori i Kombëtares do të luajë me Leçen në elitën e futbollit përtej Adriatikut.
Zyrtarizimi erdhi nga klubi i krahinës së Apuglia-s në rrjetet sociale. Marrëveshja u finalizua prej dëshirës së futbollistit 27-vjeçar dhe negiociatave që zgjatën për disa javë me skocezët e Aberdeen.
“Klubi i Leçes njofton se arriti akordin me Aberdeen për transferimin e futbollistit Ylber Ramadani. Pas vizitave mjekësore, futbollisti shqiptar do t’i bashkohet ekipit”, shkruan klubi italian në komunikatën zyrtare.
Ramadani bëri hapin e madh në karrierë pas vetëm një sezoni në Premier League-n skoceze. Prej transferimit nga hungarezët e MTK Budapest, ai u kthye në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Aberdeen, duke luajtur 44 ndeshje gjatë edicionit të kaluar.
Leçe do të paguajë rreth 1,4 milionë për blerjen e Ylber Ramadanit, ndërsa skuadra skoceze do të përfitojë edhe 10% të vlerës, në rast se mesfushori do të shitet gjatë aventurës së tij në Serinë A. (A2 Televizion)