Rritet te bizneset besimi në ekonomi. Konsumatorët, ende pesimistë

Nga A2 CNN
7 Korrik 2022, 14:52 | Ekonomi
Rritet te bizneset besimi në ekonomi. Konsumatorët, ende

Besimi në ekonomi i bizneseve është rritur, teksa konsumatorët ende janë pesimistë. Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, publikuar nga Banka e Shqipërisë, që dëshmon për besimin që agjentët ekonomikë kanë tek ekonomia, pësoi rritje me 2% në qershor.

Rritja u përcaktua nga përmirësimi i besimit të bizneseve në sektorët e industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve. Ndërkohë që besimi i konsumatorëve dhe bizneseve në sektorin e tregtisë ka pësuar rënie në këtë periudhë. 

Të dhënat e detajuara të vrojtimit tregojnë se bizneset në ndërtim, industri dhe shërbime vlerësojnë pozitivisht situatën aktuale dhe prirjet për të ardhmen. Ndërkohë që pritshmëritë për çmimet mbeten ende të larta dhe mbi mesataren historike të tyre. 

Përsa i përket tregtisë, rënia është përcaktuar si nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit, ashtu edhe ai i pritjeve për nivelin e punësimit. Ndërsa te konsumatorët rënia u ndikua nga pritjet më pesimiste për situatën ekonomike në vend, si dhe vlerësimet më pesimiste për blerjet në shuma të mëdha, aktuale dhe të pritura. 

Treguesi i ndjesisë ekonomike është një vrojtim i rëndësishëm pasi tregon për pritshmëritë e qytetarëve për të konsumuar dhe bizneseve për të investuar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos