Rusia po punon për një dron të ri Shahed

Nga A2 CNN
20 Gusht 2023, 17:21 | Bota
Rusia po punon për një dron të ri Shahed

Lufta në Ukrainë ka treguar se si zhvillimi i teknologjive të reja mund të ketë një ndikim të madh në konfliktet e armatosura. Gjatë muajve të fundit, si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë nisur sulme të ndryshme kundër njëra-tjetrës. Kremlini ka përdorur dronët iranianë “kamikazë” Shahed 131 dhe 136.

Pas dërgesave të shumta nga Teherani, Moska vendosi që kishte ardhur koha të kishte versionin e saj të këtij droni, të ashtuquajturin Geran-2. Me ndihmën e Iranit dhe me një projekt sekret, Rusia filloi ndërtimin e një linje prodhimi që ka punuar gjatë gjithë kohës për të forcuar flotën ajrore ruse pa pilot. Sipas “The Washington Post”, në krye të projektit u vu një ish-zyrtar i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse. Dokumentet zyrtare kishin një gjuhë të koduar: “anijet” në vend të dronëve, “parakolpët” në vend të eksplozivëve dhe “Bjellorusia” ose “Irlanda” në vend të Iranit.

Një marrëveshje që u realizua në nëntor të vitit të kaluar dhe që u mbyll në rajonin rus të Tatarstanit. Qëllimi është që Rusia të ketë një flotë prej 6 000 dronësh pa pilot deri në verën e vitit 2025, me të cilin mund të ruajë një rezervë municionesh precize dhe të ketë pozitë të lartë në garën e dronëve në këtë “luftë të re”.

Ndërsa dokumentet tregojnë për vonesa të prodhimit, Rusia ka bërë përparim të konsiderueshëm në qëllimin e saj për të zhvilluar një variant të Shahed-136 të aftë për të fluturuar më shumë se 1000 milje përpara se të “shpërthejë vetë” me afrimin drejt një objektivi të shënuar. Ekspertiza ruse po ndihmon në përmirësimin e teknikave disi të vjetruara të prodhimit të Iranit. Nga ana tjetër, ato përfshijnë disa përparime të rëndësishme, siç është mundësia e kryerjes së sulmeve të koordinuara në grupe.

Studiuesit nga Instituti për Shkencën dhe Sigurinë Ndërkombëtare sigurojnë që procesi i prodhimit, i cili kryhet në objektet e Zonës së Posaçme Ekonomike Alábuga, të ketë një vonesë prej të paktën një muaji. Siç raportohet nga “The Washington Post”, objektivi i 6000 njësive deri në vitin 2025 duket jorealist.

Por edhe po të ishte kështu, dronët e rinj mund të jenë një përparim i madh për Moskën. Dokumentet, që datojnë nga dimri i vitit të kaluar deri në pranverën e këtij viti, përfshijnë planet e impiantit, skemat e ndryshme teknike dhe të dhënat e personelit, si dhe prezantime të bëra për njerëzit në Ministrinë e Mbrojtjes Ruse.

Pavarësisht raporteve që zbulojnë vonesat në prodhim, ekspertët nuk dyshojnë në potencialin rus për ta realizuar projektin. Veçanërisht e fortë në fusha të tjera si raketat hipersonike, Rusia ka neglizhuar potencialin e dronëve vitet e fundit. Për këtë arsye, për të ruajtur ritmin ajo i është drejtuar Iranit, një nga vendet e pakta që i ka ofruar ndihmë ushtarake, ndonëse mohon t'i ketë shitur armë pas fillimit të konfliktit me Ukrainën.

https://a2news.com/2023/02/27/rusia-sulm-masiv-rus-me-drone-shahed-kievi-kundersulm-ne-pranvere-do-te-clirojme-edhe-krimene/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni