Rusia shkatërron me raketë një satelit spiun, SHBA: Akt i papërgjegjshëm, do të përgjigjemi

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2021, 09:04 | Bota
Rusia shkatërron me raketë një satelit spiun, SHBA: Akt i

Pas kufijve tokësorë, tashmë konflikti midis Rusisë dhe vendeve perëndimore po shfaqet edhe në hapësirë. Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër vendimin rus që dje ka shkatërruar me anë të një rakete një satelit të vjetër të epokës sovjetike në orbitë, rreth 420 kilometra nga Toka.  

Departamenti i Shtetit e ka cilësuar aktin si një akt “i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm, që tregon se si të gjitha përpjekjet për të kundërshtuar militarizimin e hapësirës nga Rusia, është thjesht hipokrizi. Po punojmë me aleatët tonë për t’iu përgjigjur këtij akti”.

Sateliti spiun i shkatërruar quhej Kosmos 1408, i hedhur në hapësirë në vitin 1982 nga Bashkimi Sovjetik, dhe që prej kohësh, të paktën zyrtarisht, nuk funksiononte më. Pesha e tij prej një tonelate u shpërbë në pak çaste, duke lënë sipas NASA mijëra copëza që mund të rrezikojnë Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS) , ku ndodhen për momentin 4 astronautë amerikanë, një gjerman dhe dy rusë.

“Është e paimagjinueshme se si me historinë e saj të gjatë në këtë fushë, Rusia mund të mendojë të rrezikojë jo vetëm partnerët amerikanë të ISS, por edhe vetë astronautët e saj”, deklaroi administratori i NASA, Bill Nelson.

Vendet që kanë teknologjinë për të shkatërruar satelitët me raketë, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kina dhe India, por kur një akt i tillë ndodh, protestat janë gjithmonë të mëdha, për shkak të ndotjes së madhe që shkakton në hapësirë.  

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi