






Pallati i Kongreseve po bëhet gati për të pritur Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që për herë të parë do të zhvillohet në vendin tonë. Ambientet e brendshme janë mbushur me stenda dhe podiume, të cilat janë dekoruar me motive popullore shqiptare, por edhe ngjyrat e flamurit të Bashkimit Europian.
Aktiviteti nis të martën në orën 10:15, me mbërritjen e delegacioneve dhe pritjen zyrtare. Në orën 11:45 është planifikuar fotoja zyrtare. Në 12:15 programi vijon me seancën plenare dhe drekën e punës dhe në orën 14:30 me konferencën për shtyp.
Temat kryesore të diskutimit do të jenë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe adresimi i sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Disa ditë më parë, punonjësit e Bashkisë Tiranë punuan edhe për pastrimin dhe dekorimin e ambienteve të jashtme të Pallatit të Kongreseve, duke vendosur vazo me lule dhe duke pastruar shkallët. Punonjës të tjerë kanë hapur kanalet për kalimin e kabllove që do të duhen për sigurimin e infrastrukturës teknologjike për samitin njëditor.
Samiti zhvillohet në kushte të rrepta sigurie. Në të njëjtën ditë, në orën 12:00, opozita ka paralajmëruar se do të zhvillojë protestë para Kryeministrisë. Zona është brenda perimetrit të sigurisë së Samitit dhe policia ka bërë të qartë që nuk do të lejojë zhvillimin e saj aty. Por opozita këmbëngul se nuk do të ndryshojë vendin e mbajtjes së protestës. (A2 Televizion)