Sektori fason, Prençe: Ndihmë e pjesshme, të zgjerohet programi i punësimit

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2020, 19:47 | Ekonomi

Fasonët, që do të jenë edhe ndër bizneset që përfitojnë nga kompensimi që qeveria do të bëjë për protokollet e sigurisë, e konsiderojnë të pamjaftueshme shumën prej 2 mijë lekë për punonjës. Sipas tyre, kostot janë shumë më të mëdha, pa përfshirë edhe humbjet për çdo rast të dyshuar për infektim.

Nisma e qeverisë mbulon vetëm pjesërisht kostot ditore shtesë të bizneseve, të lindura nga pandemia. Kryetari i Shoqatës së Fasonëve, Edvin Prençe, deklaron se kostoja reale për përshtatjen me protokollet e sigurisë, llogaritet në 5 mijë lekë të reja në muaj për çdo punonjës. Ndërsa këtu nuk përfshihen humbjet për çdo rast të dyshuar për infektim.

Sipas Edvin Prençes, kryetari i Shoqatës së Fasonëve, “ka një ulje të sasisë të prodhimit ditor. Rastet në rritje të personave të infektuara që po rrinë në shtëpi përkon edhe me raportet që lëshohen nga mjekët, një barrë e rëndë për ndërmarrjet private. Është absurd që një raport 14-ditorë të jetë barrë e sipërmarrjeve, kur duhet të ishte e qeverise dhe sigurimeve shoqërore”.

Edvin Prençe, kryetari i Shoqatës së Fasonëve

Situata aktuale në sektorin fason shihet si e zymtë, për shkak të rënies drastike të kontratave porositëse për veshje dhe këpucë. Sot partnerët e tyre tregtarë kanë nevojë për maska dhe veshje njëpërdorimshme, kërkesa që kompanitë shqiptare i kanë të vështira t’i realizojnë pa mbështetjen e qeverisë.

“Për t’u adaptuar dhe për të qenë të gatshëm, fasonet duhet të diversifikojnë makinerinë. Kjo kërkon një shtim të linjës së prodhimit që për kostot që ka është i papërballueshëm, pa ndërhyrjen e qeverisë”, vijon Prençe për A2.  

Fasonët kërkojnë gjithashtu zgjerimin e programeve të ripunësimit, si dhe një garanci të tretë sovrane për pagat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos