Pasi SPAK ka vënë nën sekuestro Inceneratorin e Tiranës, kryebashkiaku i kryeqytetit Erion Veliaj thotë se ky vendim është më se i mirëpritur. Veliaj shkruan se është një hap i tillë tregon se drejtësia është në një tjetër epokë, ku askush nuk është i pandëshkueshëm, duke i kthyer kështu përgjigje kundërshtarëve që i përmbledh me “Non Grata”.
Numri një i Tiranës, vijon reagimin e tij, duke thënë se Bashkia do të vijojë punën për pastrimin e kryeqytetit, e ndërsa risjellë në vëmendje Sharrën. Kjo e fundit, sipas Veliajt është transformuar “nga një kancer urban në një fushë sanitare me standardet e duhura mjedisore”.
“Histeria e portaleve të baltës tregon vetëm që baltaxhinjtë e udhëhequr nga Non Gratat s’e kanë marr vesh akoma që jemi në epokë tjetër! Sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranes si rezultat i hetimeve të SPAK është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik.
Bashkia e Tiranës ndërkohë do të vazhdojë pa u ndalur punën për një Tiranë që sot është pasqyrë pastërtie edhe si rezultat i transformimit të Sharrës nga një kancer urban në një fushë sanitare me standardet e duhura mjedisore. Koha punon për Tiranën dhe Shqipërinë Europiane, jo për kandilet e Non Gratave që do të shkojnë drejt shuarjes”, shkruan Veliaj.
Ditën e sotme, Prokuroria e Posaçme vuri nën sekuestro inceneratorin e Tiranës, sipas së cilëve nga hetimet e kryera deri më tani, rezulton se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të kompanisë e cila ka përfituar koncesionin me vlerë mbi 128 milionë euro. SPAK bën të ditur se Mërtiri dhe Zoto nëpërmjet kompanive fiktive kanë falsifikuar fatura tatimore me vlerë mbi 4 milionë euro për të justifikuar ndërtimin e inceneratorit. (A2 Televizion)