Shëndetësi falas? Koja: 600 mijë të pasiguruar marrin shërbim shëndetësor. Koduzi: Pandemia zbuloi mashtrimin

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2020, 20:22 | Ekonomi
Shëndetësi falas? Koja: 600 mijë të pasiguruar marrin

Shëndetësia falas ka qenë një ndër premtimet kryesore të kryeministrit Rama në 2013, përpara se të vinte në pushtet. Pas gati 7 vitesh, Shqipëria ndodhet në kulmin e një pandemie botërore dhe shëndetësia është bërë më e rëndësishme se kurrë, së bashku me akuzat për një gjendje të rëndë të këtij sektori. Katër koncencione të tipit PPP janë dhënë vitet e fundit, për disa shërbime që shteti ia ka deleguar privatit me kosto në miliona euro për tatimpaguesit. E kemi falas shëndetësinë sot apo paguajmë? Nëse është falas, për cilat shërbime e nëse paguajmë, për çfarë?

“Shëndetësi falas apo shëndetësi e privatizuar”, ishte tema për të cilën u diskutua, këtë të mërkurë, në A2 Business Week. Gjergji Koja, ish-ministër i Shëndetësisë, u shpreh se sot 600 mijë qytetarë të pasiguruar marrin shërbime falas në shërbimin parësor.

“Shëndetësia falas sot është një realitet i prekshëm. Në vitin 2013 gjetëm një raport të shpenzimeve të qytetarit, 60% shpenzime nga xhepi dhe vetëm 40% i mbulonte shteti. Sot që ne po flasim kemi një përmbysje, kemi 37% shpenzime nga xhepi dhe 63% nga shteti. Të kesh shëndetësi falas do të thotë se çfarë aksesi ka qytetari te shërbimi shëndetësor parësor, aty përballet qytetari fillimisht, është filtri i parë. Sot, 600 mijë qytetarë të pasiguruar marrin shërbimeve falas në shërbimin parësor. Këta persona bëjnë vizitat falas te mjeku i familjes, marrin falas barnat nga lista e barnave të rimbursueshme, bëjnë ekzaminime falas në spitale terciare”, tha Koja.

https://a2news.com/2020/11/11/shendetesi-falas-koja-ne-vitin-2013-skishte-asnje-program-sot-kemi-3-programe-madhore-qe-kane-shpetuar-jete/

Ndërkohë, Gazmend Koduzi, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, u shpreh se pandemia ka nxjerrë në pah mashtrimin me shëndetësinë falas.

“Në vitin 2013, PS i shiti shqiptarëve fabulën e të njëjtën përrallë si në kohën e komunizmit, se jemi i vetmi vend në bota me shëndetësi falas dhe pa taksa. Realisht ndodhi që kjo qeveri rriti barrën e pareve që paguanin shqiptarët për kontribute të sigurimeve shëndetësore, po ashtu hoqi tavanin dhe sot, çdo person paguan kontributin mbi shumën e përgjithshme. A përfiton mbrapsht? Po të flasim me shifra do të shikojmë se në Shqipëria sasia që shkon nga shteti është 2,8 për qind. Në raportin e fundit të Eurostat thuhet se 13,7 për qind e familjeve paguajnë nga xhepi, ndërkohë që familjet shqiptare janë më të varfrat. Situata e tanishme është ajo situatë që ka nxjerrë në pah mashtrimin e shëndetësisë falas. Të siguruar apo të pasiguruar, njerëzit sot, çdo barë që kanë nevojë për t’u trajtuar për komplikacionet nga Covid, i paguajnë me para nga xhepi”, u shpreh Koduzi. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/11/11/sa-kushton-kurimi-i-koronavirusit-debate-ne-a2-business-week/
https://a2news.com/2020/11/11/koja-garantoj-shqiptaret-spitalet-nuk-do-te-shkojne-ne-kolaps-koduzi-virusi-po-ben-cte-doje/

A2 CNN Livestream

Latest Videos