Kombëtarja e Kosovës ka zhgënjyer në ndeshjen e dytë të eliminatoreve të Euro 2024 duke marrë vetëm një pikë në përballjen me Andorrën që përfundoi 1-1, në një takim që ishte tepër i lehtë në letër për vendasit.
Ndeshja u karakterizua nga gabime të shumta në mesfushë nga të dyja ekipet, ndërkohë që “Dardanët” ishin pak më superiorë se miqtë.
Goli për vendasit erdhi vetëm në minutën e 59 me Zhegrovën e sapohedhur në fushë. Por gëzimi zgjati fare pak pasi Andorra nuk ishte dorëzuar. 2 minuta më vonë Rosas përfiton nga një top pa shumë pretendime dhe një përgjumje e mbrojtjes për të barazuar shifrat.
Giresse shton forcat në sulm në minutat e mbetura dhe tenton gjithçka, por goditjet në portë janë të pasakta, për të vulosur në këtë mënyrë fatin e takimit.
Tashmë pas dy ndeshjes të luajtura Kosova shënon dy pikë dhe renditet në vendin e tretë në grupin I, ndërkohë që Zvicra dhe Rumania kanë nga 6 pikë të plota. (A2 Televizion)