
Shoqata e biznesit të vogël e të mesëm tha pak ditë më parë në një deklaratë për mediat se nga pandemia koronavirus, 38 mijë subjekte biznes i vogël dhe i mesëm u mbyllën, u humbën 125 mijë vende pune, ndërsa xhiro u tkurr me 70%.
I ballafaquar me këto shifra në A2 Business Week, ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi, i kundërshtoi, duke thënë se situata, edhe pse nuk është “rozë”, nuk është aq e zymtë sa paraqitet.
“Nuk dua të komentoj tabelën, kam një pikëpyetje shumë të madhe mbi të dhënat, madje nuk janë aspak reale. Që vendet në zhvillim kanë problem me statistikat, ky është fakt i ditur. Por nga ana tjetër po t’i referohemi INSTAT, kemi shifra të ndryshme. Do të ishte absurde në këtë situatë që të themi se kemi një gjendje të mirë. Por ka një sinjal nga FMN që parashikimet nuk janë aq të zeza”, tha Shalsi.
Sa i përket rënies ekonomike, e cila është parashikuar deri në 9% nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ministri tha se Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga trendi botëror. “Vende me ekonomi të zhvilluar, më të qëndrueshme, parashikohet që do të kenë rënie 10%, ndërsa ekonomia e SHBA ishte parashikuar në 4,3%. Jemi ende larg rikuperimit dhe kjo ka qenë arsyeja pse qeveria, në vazhdën e masave, mori edhe më të fundit, me pjesën më të prekur. Fillimi i tetorit është shumë më i mirë sesa i shtatorit. Nuk mund të them se jemi në fazë rikuperimi, ekonomia ka lëvizur, por mos prisni situatë rozë”.
Shalsi zbuloi edhe shifrat e personave të dalë të papunë gjatë dy muajve të parë të mbylljes së vendit, por edhe të punësuarve të rinj pas hapjes. “Të citosh njërin që del e flet në emër të 96 mijë bizneseve dhe jep shifra absurde është nonses. Në mars dolën 30 mijë, në prill 16 mijë të papunë. Ndërsa në maj, qershor, korrik, filluan punë respektivisht 17 mijë, 16 mijë dhe 12 mijë. Ende sot ka një papunësi, kjo ka qenë arsye pse ne në pjesën e parë dhe të dytë targetuam këtë grup”, tha ministri. (A2 Televizion)