11 fëmijët e infektuar me fruth, shefja e ISHP, Tomini: Hetimi epidemiologjik do kohë

Nga A2 CNN
25 Janar 2024, 08:45 | Aktualitet

Drejtoresha e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, ishte e ftuar në "Dita jonë", ku foli rreth situatës së infektimeve me fruth në vendin tonë, pas raportimeve se 11 fëmijë, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, rezultojnë të prekur.

Tomini deklaroi se situata e fëmijëve është e mirë dhe asnjë prej tyre nuk ka komplikacione, teksa të gjithë kanë dalë nga spitali. Sipas saj, hetimi epidemiologjik do pak kohë.

“Situata e fëmijëve të prekur nga fruthi është e mirë, ata kanë dalë nga spitali. Aktualisht, asnjë rast nuk është i hospitalizuar. Hetimi epidemiologjik do pak kohë. Fruthi është një sëmundje me transmetueshmëri të lartë. Përhapet me spërkla, kontaminon çdo sipërfaqe. Është sëmundje pedriatike, por prek dhe adultët e pavaksinuar. Është e rëndësishme që strukturat të ndjejnë situatën”, tha Tomini.

Më tej, shefja e ISHP-së, iu bëri thirrje që të mos shtyjnë kalendarin e vaksinimit për fëmijët e tyre.

“Kemi bërë thirrje që prindërit të aplikojnë vaksinën për fëmijët, sidomos atë të parën 12-muajshe. Ata e spostojnë datën e vaksinimit, por kjo përbën rrezik. Doza e dytë e përforcon mbulesën vaksinale, por jemi vonë, arrijnë deri në 5 vjeç. Masa parandaluese është vaksinimi”, tha Tomini. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos