Në 79-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, krerët më të lartë të shtetit zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Të pranishëm ishte presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj si edhe zv.ministri i Mbrojtjes, Enkel Joti.
Krerët e shtetit nderuan kujtimin e të rënëve për lirinë e atdheut që sot shënon 79 vite. Ato vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” dhe u përkulën në nderim dhe respekt të jetëve të dhëna për Shqipërinë.
Këtë 29 Nëntor në Shqipëri festohet 79-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtimi fashist. Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste, dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, u pushtua nga forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës, e cila u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944. (A2 Televizion)