Vala e gripit dhe infeksioneve të tjera respiratore ka nisur të bjerë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik java e fundit e janarit shënoi ulje të rasteve. Mbi 16 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitale dhe qendra shëndetësore, afro 1 mijë raste më pak se java e trete e janarit që duket se ka shënuar edhe kulmin e epidemisë së gripit.
Fëmijët e vegjël 1 deri 4 vjeç dhe ata të moshës shkollore deri 14 vjeç rezultojnë më të prekurit nga gripi I stinës AH1n1 dhe ai i tipit B. Kjo është vënë re edhe nga fluksi i shtuar i vizitave në qendrat shëndetësore dhe në urgjencat e spitalit pediatrik.
Gripi dhe virozat e tjera kanë përhapje në të gjithë territorin e vendit. Por në ditët e fundit të janarit, qyteti i Gjirokastrës, i Gramshit dhe i Durrësit kryesojnë për infektimet më të larta. Ndërkohë Tirana duket se ka një ulje të rasteve më grip pas pikut që arriti në javën e dytë dhe të trete të janarit Referuar të dhënave që vijnë nga qendrat shëndetësore dhe spitalet, ekspertët e institutit të Shëndetit Publik thonë se kurba e infektimeve nga gripi do të vijojë rënien.
Megjithatë ata bëjnë thirrje për kujdes. Gripi nuk duhet neglizhuar por as nuk duhet të përdoren antibiotike pa rekomandimin e mjekut. Sezoni epidemik i gripit nis më dimrin dhe mbyllet në muajin mars, me fillimin e pranverës. (A2 Televizion)