Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro inspektuan sot punimet për ndërtimin e aksit rrugor Berat-Ballaban.
Për zv.kryeministren Balluku ky është një aks i rëndësishëm, që shtrihet në qarqet Berat dhe Gjirokastër, duke dhënë një impakt të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, bujqësor e turistik të zonës. Sipas saj një ndër prioritetet e qeverisë është edhe ngritja e kapitaleve njerëzore.
“Infrastruktura dhe energjia janë dy kolona mbështetëse, të cilët çojnë ekonominë përpara. Ekonomia është dinamike, ndryshon, pra prioritetet ndryshojnë. Dikur ne kemi pasur prioritet bujqësinë. Nuk e lëmë pas dore, vazhdojmë me paketat subvencionuese, vazhdojmë me politikat mbështetëse që kemi për bujqit dhe blegtorët, por nga ana tjetër turizmi vetë për shkak të të ardhurave që ka krijuar gjatë vitit 2023 është ai që ka marrë fokusin kryesor. Detyrë e infrastrukturës dhe energjisë është që të krijojë të gjitha kushtet logjistike për zhvillimin e këtyre sektorëve. Prioritetet i qeverisë për 2024 dhe në vazhdim është ngritja e kapitaleve njerëzore. Ne kemi fokus të veçantë që të rrisim kapitalet njerëzore përmes shkollave profesionale dhe shkollave të dedikuara”, deklaroi Balluku.
Balluku theksoi se kjo rrugë është mbi 58 kilometra e gjatë e ndarë në 3 lote. Ajo shtoi se rruga do të ketë gjerësi 7.5 metra.
Ndërsa ministrja Kumbaro u shpreh se punimet kanë nisur, duke lidhur më shkurt Këlcyrën, Përmetin, Memaliajn dhe Tepelenën me Beratin për të dhënë një impakt të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik e turistik të zonës.
“Përveç banorëve të Përmet, Këlcyrës, Memaliajt, Tepelenës, të cilët janë përdorues të këtij aksi, numri i turistëve gjithmonë e më shumë po shtohet. Ajo që është më e rëndësishme është që banorët do të vazhdojnë të rrinë sepse nëse ne ua çojmë turistët, konsumatorët. Falë kësaj infrastrukture do të ketë një zhvillim ekonomik edhe ka mjaft banorë, djem të rinj të kësaj zone, që jetojnë në Tiranë dhe në frymën e agroturizmit që ne kemi nxitur, duan të kthehen të investojnë nëpër fshatrat e tyre, në shtëpitë e prindërve”, u shpreh Kumbaro.
Rruga Berat-Ballaban kalon përmes Beratit, Skraparit, Përmetit dhe Tepelenës duke prekur 3 rajone të rëndësishme të zhvillimit bujqësor dhe turistik.
(A2 Televizion)