Blinken në Tiranë, këto janë rrugët që do të bllokohen

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2024, 14:42 | Aktualitet

Policia e Shtetit ka bërë të ditur planin e masave që ka marrë për të garantuar rendin dhe sigurinë, gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë. 

Masat e ndërmarra dhe kufizimet para dhe gjatë vizitës janë si vijon:

Ndalim parkimi:

Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët "Faik Konica", "Dervish Hima", "Ismail Qemali" (para Kryesisë së Kuvendit), "Gjergj Filipi", "Lek Dukagjini", Rruga e Elbasanit, "Papa Gjon Pali II", bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga "Ukraina e Lirë" (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.

Ndalim qarkullimi:

Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë:

1. Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas;

2. Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas;

3. Interurbane kryesore Qafë Kashar - ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas;

4. Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas;

5. Rruga e Elbasanit, rruga "Dervish Hima", rruga "Faik Konica", rruga "Papa Gjon Pali II",  rruga "Ismail Qemali", rruga "Themistokli Germenji", rruga "Abdyl Frashëri", rruga "Ukraina e Lirë", rruga "Gjergj Filipi", bulevardi "Dëshmorët e Kombit" dhe bulevardi "Bajram Curri".

Rrugë alternative:

Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njëjtin itenerar.

Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimet, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve përkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve për masat e sigurisë dhe apelon për të shmangur qarkullimin me mjete rrugore në oraret dhe rrugët ku parashikohen kufizimet e levizjes, për qëllime sigurie.

Agjenda e Blinken

Vizita e tij 10-orëshe pritet të startojë të enjten në orën 11:00 kur do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe nga ku do të nisë edhe turin e takimeve.

Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama pritet të jenë zyrtarët më të lartë shtetërorë, të cilët do të zhvillojnë takime kokë më kokë me kreun e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku mesazhet që do të përcillen do të jenë për të ardhmen e Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe Europës, gjatë një deklarate të përbashkët ndërmjet Ramës e Blinken.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të ketë pjesë të delegacionit edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila tashmë ka një detyrë më të lartë në DASH.

Agjenda e Blinken në Tiranë do të mbyllet me një takim me rreth 100 të rinj që kanë qenë pjesë e programeve mbështetëse të ambasadës amerikane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos