Përfundon stërvitja “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”, Peleshi: Gati të konsolidojmë dimensionin operacional e taktik

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2024, 10:14 | Aktualitet

Përfundon stërvitja “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”,

Përfundon me sukses stërvitja kompaktësuese dimërore e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë e koduar “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”, e cila u zhvillua në Pukë.

Në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi theksoi se “agresioni brutal i Rusisë kundër Ukrainës dhe konflikti në Lindjen e Mesme kanë tronditur rendin dhe sigurinë globale duke sjellë nevojën jo reagimit të përbashkët nga të gjithë vendet e NATO-s, por dhe atë të zhvillimit të kapaciteteve kritike dhe të forcimit të qëndrueshmërisë kombëtare”.

Sipas Peleshit fokusi është në atë që po ndodh sot në rajonin tonë, i cili vazhdon të mbetet një rajon i brishtë dhe me tensione të provokuara që tentojnë destabilizimin e tij.

“Ndaj sot kemi një strategji të re të sigurisë kombëtare, e cila do të pasohet së shpejti nga strategjia ushtarake dhe plani afatgjatë i zhvillimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky bazament i fortë strategjik, na jep një shtysë për të konsoliduar dimensionin operacional dhe taktik duke vendosur theksin tek transformimi i pandërprerë i forcave dhe i kapaciteteve tona”, deklaroi Peleshi.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes këto kapacitete do të testohen shumë shpejt në funksion të stërvitjes së madhe të NATO-s “Steadfast Defender 2024”. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përgëzoi efektivët, djemtë dhe vajzat e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, e cila është një njësi e certifikuar nga NATO si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me Aleancën Veri-Atlantike dhe të njësive të tjera që u përfshinë në këtë stërvitje për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre.

Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës Bajram Begaj u shpreh se “Shqipëria ka qenë dhe mbetet Euro-Atlantike në frymë dhe në veprim. Si popull historikisht paqedashës, orientimi ynë është paqja dhe siguria, ndaj sot është me rëndësi jo vetëm solidariteti me vlerat e vendeve të tjera anëtare, por edhe forcimi i mëtejshëm i lidhjeve transatlantike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos