Dorëheqja e Elsa Toskës, Kuvendi hap aplikimet për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese

Nga A2 CNN
3 Tetor 2024, 16:47 | Aktualitet

Dorëheqja e Elsa Toskës, Kuvendi hap aplikimet për vendin vakant

Dy javë pasi Elsa Toksa dha dorëheqjen nga detyra si anëtare e trupës së Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka shpallur hapjen e procedurës së aplikimit për vendin që mbeti vakant.

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, pasi u njoh me vendimin nr. 62, datë 23.09.2024, të Gjykatës Kushtetuese, për mbarimin përpara afatit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Elsa Toska, bazuar në nenet 125, 127, pika 1, shkronja “c” dhe pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 7, pika 1, 7/c dhe 8, pika 3, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant, mandat plotësues, për 1(një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Znj. Elsa Toska, i cili përfundon më datën 14.11.2028, referuar Vendimit të Kuvendit nr. 133/2019 “ Për zgjedhjen e zonjës Elsa Toska, anëtare të Gjykatës Kushtetuese”.

Kuvendi është vënë në lëvizje pas vendimit të 24 shtatorit marrë nga Kushtetuesja, ku u shqyrtua kërkesa e bërë nga kryetarja Holta Zaçaj për ndërprerjen e mandatit të anëtares së dorëhequr, shkruan A2.

Mandati i Elsa Toskës u deklarua i mbaruar përpara afatit, me kolegët e saj që e kanë  vlerësuan dorëheqjen nga funksioni kushtetues si një akt vullneti dhe shkak kushtetues.

Me largimin e Toskës, Gjykata Kushtetuese ka në trupën e saj vetëm 8 nga 9 anëtarë që duhet të ketë në organikë për të funksionuar normalisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos