Dritë jeshile marrëveshjes me Italinë për emigrantët, Kushtetuesja zbardh vendimin

Nga Anesti Barjamemaj
19 Shkurt 2024, 16:36 | Aktualitet

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

Në arsyetimin e zbardhur të vendimit që i dha dritën jeshile Protokollit për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë, Gjykata Kushtetuese vlerëson se koncepti kushtetues i territorit përbën dy aspekte, atë fizik dhe atë juridiksional.

Për të parin, trupa kushtetuese vëren, marrëveshja Rama-Meloni nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, shteti shqiptar nuk heq dorë nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin e tij dhe vazhdon ta ushtrojë atë gjatë kohës që Protokolli për Migracionin do të jetë i zbatueshëm, vëren Gjykata Kushtetuese.

Sa i përket të drejtave të njeriut, Protokolli për Migracionin nuk sjell kufizime, pohon Gjykata Kushtetuese, që nënvizon se emigrantëve u ofrohet mbrojtje e dyfishtë falë konventave ndërkombëtare ku janë pjesë si Italia ashtu edhe Shqipëria.

Edhe procedura e negocimit konsiderohet e rregullt, pasi Traktati i Miqësisë mes dy vendeve, miratuar nga Parlamenti, përbën bazë të mjaftueshme që të Protokolli të negociohet me plotfuqi të Kryeministrit dhe të firmoset prej tij.

Për rrjedhojë, Kushtetuesja çmon se marrëveshja “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” është në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.

Po ashtu, kjo Gjykatë sqaron se palët e përfshira në këtë proces kanë dërguar provat për pretendimet e tyre, lidhur me rrëzimin apo miratimin e marrëveshjes, ndërkohë institucioni i Presidentit, edhe pse është njoftuar nuk ka shprehur asnjë qëndrim.

Pavarësisht se kjo marrëveshje është në fuqi, 4 prej anëtarëve të gjykatës kanë qenë kundër, duke arsyetuar dhe votën e tyre.

Anëtarët që kanë votuar kundër janë Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska dhe Elsa Toska. Vendimi i GJK i është përcjellë Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave. Marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë u dërgua në gjykatë nga deputetët e opozitës.

Klikoni KËTU për vendimin e plotë (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos