“Ndaloni sharlatanizmin në ekrane”, peticion drejtuar AMA-s kundër promovimit të “dijeve amatoreske”

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2024, 10:40 | Aktualitet

“Ndaloni sharlatanizmin në ekrane”, peticion drejtuar AMA-s

Një grup studiuesish, intelektualësh, studentësh e qytetarësh të tjerë shqiptarë, i kanë drejtuar një peticion disa institucioneve, për të kërkuar ndalimin e shfaqjes në ekranet dhe platformat e tjera mediatike informacione që, sipas tyre, janë të gabuara dhe të pabazuara në shkencë.

“Niveli i ulët i informacionit shkencor në një pjesë të mediave tona, promovimi i dijeve amatoreske, i një etimologjie vulgare dhe sharlatanizmi kanë krijuar një situatë alarmante. Disa studio televizive janë kthyer në platforma për individë të papërgatitur nga ana shkencore, të cilët promovojnë idenë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë dhe nëna e të gjitha gjuhëve, se të gjitha gjuhët e botës shpjegohen me anë të shqipes, se ajo është gjuhë e natyrës, se kjo gjuhë nis me fillesat e njerëzimit etj. Formulime të tilla nuk kanë asgjë shkencore dhe, si të tilla, kultivojnë psikoza të sëmura e të rrezikshme në opinionin publik”, thuhet në peticion.

Në peticionin drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, Agjencisë për Media dhe Informim, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), kërkohet që kjo e fundit të ndërhyjë për të shmangur përhapjen e këtij informacioni.

Gjithashtu, nënshkruesit e peticionit thonë se idetë e përhapura nga këta persona që janë bërë pjesë të ekraneve shqiptare përbaltin figura të shquara të albanologjisë, si Eqerem Çabej dhe se idetë e tyre nuk do të pranoheshin në asnjë forum shkencor brenda dhe jashtë vendit.

Mes mbështetësve të peticionit janë emra të shquar si Rexhep Qosja, ish-presidenti Bamir Topi, Fatos Tarifa, Ksenofon Krisafi, Xhevat Lloshi, Pëllumb Xhufi, Neritan Ceka e të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos