Përdorimi i fjalëve të huaja gjerësisht në media, si në artikujt e shkruar, por edhe në emisionet televizive ishin në qendër të diskutimeve nga Autoriteti i Mediave Audiovizive në takimin me temë, “Fol Shqip-Të mbrojmë dhe të duam gjuhën Shqipe.”
Në studion e Ditarit me Bruna Çifligun, profesori Gjovalin Shkurtaj nuk përjashtoi hyrjen e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, por theksoi se duhet të hyjnë ato që janë të domosdoshme dhe që gjejnë kuptim në gjuhën tonë.
“Do të isha i padrejtë po të thoja stop fjalëve të huaja, por edhe pioneri i pastërtisë së gjuhës shqipe Aleksandër Xhuvani e Eqerem Çabej dhe ne pas tyre, kanë pasur mendimin që jo çdo fjalë e huaj është e ndaluar. Ato fjalë që kanë hyrë nga gjuhët e huaja dhe tashmë janë bërë mish i ashtë i shqipes, le të mbeten. Xhuvani ka lënë një ide interesante që thotë se; ka fjalë që hyjnë dhe dalin”.
Profesor Gjovalin Shkurtaj e vë theksin te media, e cila sipas tij duhet ta ruajë dhe ta bëjë të njohur gjuhën shqipe. Sipas tij media duhet’i japë rëndësi prurjeve të reja, ndërsa problem mbeten qëndrimet e atyre që ftohen në media për punën e të tjerëve.
“Kur shtetet organet botuese, televizionet i japin rëndësi gjuhës bëjnë një punë që e tejkalojnë shkollën. Mediat kanë në dorë gjithë rruzullin. Jam i mendimit që gjërat e mira t’i bëjmë ëmtë njohura, si në fushën e historisë, arkeologjisë. Andromaqi e shkroi shumë bukur punën e xhubletës por nuk pati mundësinë për të përhapur. Edhe ata që flasin me mediat duhet te jenë profesionalë. Ka fusha të tjera gjuhësia që unë nuk jam marrë, por ka njerëz që hyjnë në këto fusha, nuk janë specialistë dhe marrin përballje në media më shumë se i takon. Eshtë e drejta e detyra e institucioneve t’i japin përparësi prurjeve që duhen shpallur. Etika e trajtimeve duhet të jetë e kthjellët. Nuk është mirë që dikush të dalë në media dhe të thotë që ky nuk bën apo ky ka qenë kështu problemet e qëndrimeve ndaj punës së të tjerëve çdo punë është djersë. Këto rrudha e thinja që kam janë fryt i punës sime nga Vermoshi në Konispol për të mbledhur fjalën shqipe. Mua dhe mediave na takon që këtë pasuri ta ruajmë dhe ta bëjmë të njohur. Mua më intereson për të trajtuar më frymë ndërtuese”.
Ai e vuri theksin te shkurtimet dhe lakimet, që “duhet të thuhen siç duhet; psh SHBA-ja dhe jo SHBA-të, apo vizita e Bajdenit dhe jo vizita e Biden”.
Për fëmijët, profesori thotë se nëna dhe mësuesja luajnë rol vendimtar për gjuhën shqipe.
“Fëmijët janë me celular në dorë që kur lindin ky është një mjet shumë i mirë, na lidh me farefisin e botën, por duhet që fëmijët t’i marrim në dorë se fëmija ka nevojë të mësojë gjuhën e nënës. Për fëmijët duhet kujdes i familjes dhe mësueses”.
Lidhur me nismën “Fol Shqip”, ai tregoi edhe një mesazh që kishte marrë nga ish-presidenti Alfred Moisiu.
“Ish-presidenti Moisiu më shkruan: I nderuar profesor ju ndoqa në tryezën për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës është ndërmarrje, mbase e vonuar po shumë e rëndësishme. Ju uroj Suksese edhe një hërë në këtë ndërmarrje të bekuar që rezultatin maksimal do e marrë me kalimin e kohës. E rëndësishme është të punohet në front të gjerë. Ka rëndësi shkolla, media e shoqëria e civile. Respekti ndaj gjuhës është respekt ndaj vetes, respekt ndaj të kaluarës, respekt ndaj kombit. Është kërkesë e të qenit europian. Gjithë të mirat! Alfred Moisiu”. (A2 Televizion)