Komuna e Luginës së Preshevës ka ngritur flamurin kuqezi me rastin e festës së pavarësisë së Shqipërisë. I ftuar në studion e Ditarit në A2 CNN, kryetari i komunës së Luginës së Preshevës Shqipërim Arifi tha se për këtë veprim ai gjobitet personalisht nga autoritetet serbe, por kjo nuk e ka ndalur atë të ngrejë flamurin që kur ka ardhur në krye të këtij institucioni.
“De facto është shkelje e ligjit në Serbi. Çdo vit kemi marrë një gjobë mes 1 mijë e 1500 euro është gjobë personale. Unë dënohem si Shqipërim, jo si kryetar. Përkundrazi është motivacion se ne mbijetojmë në ato troje shqiptare. Qëkur unë jam zgjedhur kryetar i Luginës e kam vendosur flamurin”.
Pavarësisht ndëshkimeve ai shprehet se ndjehet krenar për flamurin tonë kombëtar, pavarësisht mendësisë serbe për shqiptarët.
“Ne nuk kemi pse të turpërohemi. Ne na kanë sulmuar, na kanë masakruar, flamuri ynë është paqësor. Nuk kemi hyrë në pronat e huaja në Serbi apo tjetër kund. Ne e bëjmë në mënyrë të hapur. Me siguri ka procedurë derisa të më vijë gjoba, është e pritshme se ligjet i kanë formuar ashtu. Por është dhe mendësi që ekziston në Serbi që i shikon shqiptarët si njerëz të klasës së dytë”.
I pranishëm në paradën e shqiptarëve në Tiranë ai bëri thirrje për pjesëmarrje të lartë të qytetarëve nesër në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. (A2 Televizion)