Për herë të parë, në ditën e Pavarësisë, do të organizohet në Tiranë Parada e Shqiptarëve me mbi 5 mijë pjesëmarrës. Kryebashkiaku i kryeqytetit Erion Veliaj zbuloi në Ditarin e A2 CNN, se çfarë pritet të ndodhë nesër në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku do të marrin pjesë 125 komuna nga trojet shqiptare, përfshirë arbëreshët e Italisë.
“Është një transformim në mentalitet i një parade që nuk ka hap ushtarak. Jo vetëm me pjesëmarrjen nga rajoni, Kosova Maqedonia e Veriut, Presheva dhe bashkitë e komunat në Mal të Zi, por janë bashkuar 43 ansamble nga arbëreshët dhe refreni i këtij viti ishte vëmendje e munguar dhe e rikthyer tek arbëreshët. Motoristë me Harli Davidson nga shoqata “Iliria” Teksasi, shoqata nga Nju Xhersi e Nju Jorku”.
Parada do të fillojë nesër në orën 11:00-13:30, por sfidë sipas Veliajt, mbetet moti.
“Kostumografi, muzikë e valle nga të gjitha trevat, kemi pak sfidë motin për nesër, por kur kujtoj që shumë vepra të mira janë bërë nën breshërinë e plumbave. Nesër i gjithë bulevardi i dedikohet paradës. Organizimi fillon në orën 11:00-13;30. Fillojmë te Nënë Tereza, parakalimi te Dëshmorët e Kombit, shpërndarja në sheshin Skënderbej dhe në të gjithë rrugët. Mbi 5 mijë pjesëmarrës në paradë dhe shumë surpriza në darkë do të kemi një skenë të madhe në sheshin Skënderbej, festivali i Gjirokastrës pastaj për Natën e Bardhë nga muzika pop te rock”.
I pyetur pse organizohet tani kjo paradë në kryeqytetin tonë, Veliaj u përgjigj se tashmë Tirana jeton kohët më të mira si kryeqendër e shqiptarëve dhe ka luksin për më shumë aktivitete
“Duhet ta kishim bërë më përpara dhe unë gjithmonë kam hezituar ngaqë ka qenë shi. Kjo është dita e parë. Tani kemi luksin të bëjmë më shumë aktivitete dhe Marko Kepi me “Albanian Roots” më dha një ide. Ky nëntor i yni duhet të jetë viti që jetojmë në kohët më të mira të Tiranës. Në 111 vite shtet, kombet nuk maten nga sa shpejt rrëzohen por sa të fortë ngrihen. Nuk është Shqipëria ideale që u copëtua në 111 vite shtet. Tirana do të shërbejë si kryeqytet dhe arenë ballkanike dhe sot është qyteti më i madh i shqiptarëve, është kthyer në qendër për art, kulturë, vendimmarrje politike, më bën të ndjehem krenar dhe kemi mbërritur këtu. Është nder që jemi kryeqytet i gjithë shqiptarëve”.
(A2 Televizion)