Krerët e drejtësisë së re kërkojnë mbështetje nga Kuvendi

Nga Anesti Barjamemaj
12 Prill 2024, 15:00 | Aktualitet

Katër krerët e kupolës së drejtësisë së re vijojnë të kërkojnë mbështetje, jo vetëm financiare, nga Kuvendi, me qëllim lehtësimin e punës.

Gjatë raportimit të tyre në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, listuan problematikat që hasin në përditshmëri, pavarësisht se reforma po mbush vitin e tetë që nga miratimi.

Pasja e këshilltarëve ligjor do ta lehtësonte punën e prokurorëve të posaçëm, për përgatitjen e konkluzioneve profesionale”, tha Altin Dumani.

Zyra e ILD vijon të përballet me mungesë e stafit dhe me ngarkesë dosjesh. Pavarësisht shtimit të stafit, rekrutimi i inspektorëve mbetet një nevojë e domosdoshme”, tha Artur Metani.

Kemi ende vakanca në sistem. Situata faktike janë 210 prokurorë në detyrë nga 341 që kemi në organikë”, tha Alfred Balla.

Duhet të ketë më shumë besim tek ajo që ne bëjmë. Fatkeqësisht nuk arrihet që të perceptohet drejt puna voluminoze që ne bëjmë”, tha Olsian Çela.

Edhe deputetët kishin shqetësimet e tyre. Kreu i grupit parlamentar të PS kërkoi llogari nëse po hetohen gjyqtarët apo prokurorët e shkarkuar nga Vettingu.

Cila është gjendja e referimeve proaktive, hetimeve dhe vendimeve përfundimtare në çështjet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut? Është një çështje që nuk kemi asnjë informacion”, tha Bledi Çuçi.

Mos të krijojmë një perceptim që gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e larguar janë kriminela dhe duhet t’u nxjerrim ujin e zi. Jo çdo njeri nga ata duhet të shkojë për ndjekje penale, por ata që provohen se kanë kryer vepër penale”, tha Artur Balla.

Ndërsa shqetësimi i opozitës lidhej me deklaratën e Altin Dumanit teksa raportonte para KLP, kur pohoi se Gjykata vendos çfarë kërkon SPAK.

Një deklaratë e juaja zoti Dumani është kapur jashtë kontekstit, do të doja të shfrytëzohej për ta sqaruar. Në mbledhjen e KLP keni deklaruar natyrshëm Gjykata vendos çfarë SPAK kërkon. A mund të na jepni një detaj ose ta zgjeroni këtë deklaratë se ka patur goxha debate në opinionin publik?”, tha Dhurata Çupi.

Mënyra si ajo (deklaratë) u interpretua ishte komplet jashtë asaj që unë po trajtoja në punën para Këshillit. Dhe thashë ishte momenti i përgjegjësisë tonë si institucion që të jemi të kujdesshëm kur ngremë akuzën, me një analizë më të gjerë të provave dhe të ligjshmërisë të vendimmarrjes tonë, para se të shkojmë në Gjykatë”, u shpreh Altin Dumani.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili theksoi se sfidë për drejtësinë në Shqipëri mbetet ulja e çështjeve të mbartura. Ai kërkoi gjithashtu zgjedhjen sa më shpejt të Avokatit të Popullit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos