Kur nis puna në urgjencën e QSUT? Pritet të akordohet fondi për riparimin e dëmit nga zjarri

Nga Ornela Joti
5 Mars 2024, 16:31 | Aktualitet

Miliona lekë te investuara për ndërtimin e Urgjencës se Sëmundjeve të Brendshme në QSUT shkojnë dëm.

Një tjetër fond pritet të akordohet nga ministria e Shëndetësisë për rivënien në punë të shërbimit që u përfshi nga flakët, vetëm një vit nga ndërtimi.

Tri javë pas incidentit dhe problemeve që po krijon mosfunskionimi i urgjencës së re, reagoi ministrja e Shëndetësisë. E pyetur nga gazetarët, Albana Koçiu deklaroi se së afërmi do të nisin punimet për kthimin e kësaj strukture në normalitet.

Por ende sot, për dëmin miliona lekë në Urgjencën e QSUT dhe për sorollatjen e pacienteve në spitale të tjera, nuk ka një përgjegjës.

Edhe prokuroria e Tiranës e cila njoftoi nisjen e hetimeve për zjarrin e rënë në këtë shërbim, procedimin e ka regjistruar pa persona në hetim.

Mësohet se nga organi hetimor është kërkuar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun, vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.

Më herët nga ana e ministrisë së Shëndetësisë është ngritur një grup punë për vlerësimin e dëmit të shkaktuar, por kjo vlerë ende nuk bëhet publike.

Mësohet se zjarri ka rënë në katin e nëndheshëm të shërbimit të radiologjisë, në një dhomë teknike, ku ishin vendosur bateri të aparaturave të koronarografisë të cilat ishin ekzistuese dhe të zhvendosura aty nga spitali vjetër.  Njëra prej baterive ka marrë flake, duke shkaktuar dëme të mëdha në shërbimin e radiologjisë dhe urgjencës.

Mosfunksionimi pa afat i urgjencës së re futi në veprim dy spitalet e tjerë universitarë, Traumën dhe ish-Sanatoriumit për të përballur urgjencat që vijnë nga i gjithë vendi.

Ende vijon të punohet më këtë skemë ndërkohë që nuk ka një datë  dhe as vlerë financiare për të rikthyer në normalitet urgjencën e re. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos