Pas 20 vitesh në qiellin e bazës ajrore të Kuçovës rikthehen të fluturojnë avionët. Këtë herë nuk janë MIG 17 dhe 19 por avionët e NATOS.
Nga sot kjo bazë do të jetë tërësisht në varësi të NATO-s për t’ju përgjigjur kërkesave të Organizatës së Atlantikut të Veriut. Duket se lavdia e bazës ajrore të Kuçovës, e njohur më herët si Regjimenti Peza, do të rikthehet.
Tashmë ajo do të jetë tërësisht operative dhe për të pritur avionët e NATOS siç fluturuan avionët shumë-rolësh Eurofighter Typhoon 2 mijë dhe avionët e F-16 amerikan, të dy këta avionë të gjeneratës së katërt.
“E vetmja bazë taktike në Europën juglindore është certifikuar në bazë të standarteve të NATO-s. Një pikë strategjike e cila në rrezen operacionale taktike të avionëve reaktiv dhe të transprtit kryen disa detyra që nuk mund të kryhen nga bazat e tjera si në Itali dhe Greqi. E gatshme të presi 6 reaktiv dhe 2 avion transporti,” u shpreh Kolonel Luan Sadiku.
Por data 4 mars shënon edhe një tjetër gurë të rëndësishëm kilometrik në modernizimin e forcave ajrore të Shqipërisë.
Për herë të parë në hapësirën tonë ajrore fluturuan dronët e parë Bajraktar Tb2. Avancimi i teknologjisë në fushën ushtarake dhe duke parë edhe përdorimin me efektivitet të lartë në luftën në Ukrainë bëri që ashtu si shumë vende te tjera edhe Shqipëria të hedhë sytë nga dronët.
Dronët në vetvete janë shumë herë më të lirë se avionët luftarak, por bëjnë të njëjtat detyra si ata, madje duke kursyer në shumë raste edhe jetën e pilotëve.
Aktualisht Shqipëria ka 3 dronë bayraktar, por numri i tyre pritet të rritet në vijim. Ndërkohë pjesë e flotës ajrore janë edhe helikopterët BlackHawk.
Baza ajrore e NATO-s u përurua një muaj para celebrimit te 15 vjetorit të anëtarësimit tonë në Aleancën veriatlantike. Një dëshmi se si anëtarët e vegjël të saj marrin vlerën e tyre strategjike, kur kontinentit i cenohet mbrojtja dhe siguria. (A2 Televizion)