Hapja zyrtare e bazës ajrore të Kuçovës, shënon dhe stacionimin e parë të Aleancës Euroatlantike në Shqipëri. Qendra taktike, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor, në mbështetjen e stërvitjeve të aleancës, patrullimin e hapësirës ajrore apo edhe për qëllime të tjera të NATO-s.
Për Gjeneralin e NATO-s, Juan Pablo Sanchez de Lara, përurimi i kësaj baze dëshmon gatishmërinë e Shqipërisë për sigurinë e aleancës.
Një element të shtuar sigurie për Ballkanit Perëndimor e ka cilësuar kryeministri shqiptar Edi Rama qendrën ajrore të Kuçovës.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Presidenti Bajram Begaj, duke ngritur alarmin për konfrontime politike-ushtarake të mundshme në rajonin ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Për ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, shtimi i flotës ajrore është një domosdoshmëri për shtetin shqiptar, jo vetëm si kërkesë e NATO por edhe një nevojë për sigurinë e vendit për t’u përballur me dekadën më të kërcënuar të historisë moderne.
Për drejtuesin e Mbrojtjes Italiane Guido Crosetto, Kuçova është baza e një simboli të angazhimit të përbashkët për të përballuar sfida të të tashmes dhe të ardhmes.
Në fund të këtij aktiviteti në bazën ajrore të NATO u krye edhe një shfaqje e avionëve luftarakë të vendeve aleate, dronëve bajraktarë të blerë nga Shqipëria si dhe e helikopterëve BLACK Hawk. (A2 Televizion)