“Plaket” edhe ushtria, s’ka rekrutime të reja, qeveria kërkon të mbajë më gjatë forcën aktive

Nga A2 CNN
4 Mars 2024, 12:38 | Aktualitet

Vakancat e krijuara mes radhëve të forcave të armatosura, qeveria kërkon t’i plotësojë duke i zgjatur qëndrimin në detyrë të forcës aktive. Nëpërmjet një projektligji të depozituar në Kuvend, kërkohet edhe shtyrja me tri vite e moshës maksimale të pranimit në Forcat e Armatosura, nga 27 në 30 vjeç.

Fenomeni i plakjes së popullsisë ka filluar të shtrijë efektet edhe te forcat e armatosura. Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj ku kërkon të shtyjë deri në tri vite moshën maksimale për pranimin e ushtarëve të rinj pranë forcave të armatosura, ku sipas këtij propozimi, kufiri kalon nga 27 në 30 vjeç.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky ndryshim kërkohet për plotësimin e nevojave që kanë Forcat e Armatosura për rekrutim, ku shtesa prej 3 (tre) vjetësh do të bëjë të mundur rekrutimin edhe të kësaj moshe, me qëllim plotësimin e nevojave në fakt që ne kemi.

Në relacionin shoqërues, ekzekutivi pranon se mes radhëve të forcave të armatosura janë krijuar vakanca, pasi për çdo gradë, ka një afat maksimal qëndrimi. Plotësimi këtyre vakancave duket se nuk është arritur të bëhet me kontingjent të ri ushtarak.

Sipas dikasterit të mbrojtjes, si pasojë e uljes së numrit të rekrutimit del e nevojshme mbajtja e personelit që kemi në fakt dhe shmangia e shtyrjeve të herëpashershme që bëhen për shkak të mungesave dhe boshllëqeve që krijohen në kompletim për arritjen e kapaciteteve operacionale të kërkuara.

Nisma ligjore e qeverisë, parashikon gjithashtu se për nevojat e saj, Forcat e Armatosura kanë të drejtë të kthejnë në shërbim aktiv ish-oficerë, nënoficer apo edhe ushtarë me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli