Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me hapjen e Bazës Taktike Ajrore të NATO-s në Kuçovë, ku shkruan se shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor.
Osmani gjithashtu shkruan se do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë.
“Hapja e Bazës Taktike Ajrore të NATO-s në Kuçovë, Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë. Ku ka NATO, ka paqe dhe stabilitet!”, shkruan Presidentja Osmani.
Kujtojmë se punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë. Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90. (A2 Televizion)