Akuzat e Berishës për gjyqtaren Irena Gjoka, vjen reagimi i KLGJ

Nga A2 CNN
4 Mars 2024, 15:16 | Aktualitet

Akuzat e Berishës për gjyqtaren Irena Gjoka, vjen reagimi i KLGJ

“Llum gjykatëse”, “hajdute ordinere”, “e paftyrë”, “e pamoral”, këto akuza të artikuluara në publik nga ish-kryeministri Sali Berisha kanë sjellë reagimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Deklarata të tilla, sipas KLGJ, janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj gjyqtares për shkak të detyrës dhe një gjë e tillë kompromenton drejtësinë.

Duke bërë thirrje që një gjuhë e tillë të ndalet, KLGJ thekson se drejtësia duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private. Për rrjedhojë, i kujton Berishës, por edhe avokatit të tij, Genc Gjokutaj, se për çdo pakënaqësi për vendim të gjykatës, rruga e vetme është ankimimi i saj në një shkallë më të lartë.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave publike në media nga persona publik dhe mbrojtësve të tyre në procesin penal, të cilat në përmbajtjen e tyre cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike.

Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se avokatët në bazë të ligjit dhe kodit etik profesional, duhet të sillen me respekt, ndershmëri dhe integritet kundrejt gjykatës, në funksion të përfaqësimit të interesave të klientëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private. Në respektim të dispozitave ligjore në fuqi, sjellim në vëmendje se mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë”, thuhet në reagim.

Irena Gjoka, firmosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj Sali Berishës, e cila më pas iu ashpërsua në arrest shtëpie, si edhe i bllokoi pasaportën pas akuzave për privatizimin e  ish-kompleksit “Partizanit”. Që prej 30 dhjetorit ai ndodhet në arrest shtëpie, teksa mbrojtja e tij ka bërë kërkesa të herëpashershme për përjashtimin e Gjokës, kërkesa të cilat janë refuzuar.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu