Mbërrijnë motorët ambulancë në Vlorë, ministrja Koçiu: Zgjidhja e duhur për të përballuar fluksin gjatë sezonit veror

Nga A2 CNN
18 Maj 2024, 12:05 | Aktualitet

Mbërrijnë motorët ambulancë në Vlorë, ministrja

Gjatë këtij sezoni turistik, shërbimi i ambulancës në zonat turistike do të ofrohet edhe me motorë, për të mundësuar mbërritjen më të shpejtë te personat në nevojë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi nga Vlora, ku pati një demonstrim të motoambulancave, se për herë të parë gjatë këtij sezoni veror, flotës së urgjencës mjekësore paraspitalore i janë shtuar edhe motoambulancat dhe është rritur numri i autoambulancave për 34 qendrat shëndetësore verore.

Mbërrijnë motorët ambulancë në Vlorë, ministrja

Koçiu deklaroi se këto motoambulance, risi e masave të marra “janë zgjidhja e duhur në ato situata kur e kemi të pamundur që të aksesojmë shpejt një ngjarje apo dikë që ka nevojë për ndërhyrje shëndetësore sa më të shpejtë”. “Me motoambulancat do të kemi një reagim shumë të shpejtë dhe e sjellim mjekun, infermierin në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientin”, theksoi ministrja.

Mbërrijnë motorët ambulancë në Vlorë, ministrja

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj tha se motoambulancat janë të pajisura me aparaturat mjekësore si defibrilator për defibrilim (goditje elektrike), kryerjen e elektrokardiogramës që në banesë dhe fillim e terapisë së menjëhershme në raste ishemie ose infarkti si dhe me medikamentet përkatëse. “Të gjitha qendrat shëndetësore i kemi me defibrillator automatik.  Çanta është e përshtatur për motorin në të cilën është një bombol oksigjeni 2 litroshe, është seti i ventilimit, seti i medikamenteve dhe i infuzioni”, tha Brataj.

Gjithashtu, për herë të parë të gjitha qendrat shëndetësore verore janë pajisur me defibrilator automatik për goditje elektrike në rastet e infarkteve që çojnë në arrest kardiak.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi