Molotovi te Bashkia Tiranë, BE-ja dënon dhunën: Nuk ka të bëjë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore

Nga A2 CNN
19 Prill 2024, 13:46 | Aktualitet

Delegacioni i Bashkimit Europian ka reaguar pas protestës së mbajtur në dyert e Bashkisë së Tiranës nga Aleanca për Teatrin dhe grupimi i Rithemelimit në Partinë Demokratike.

“Na vjen shumë keq për dhunën gjatë protestës në qendër të Tiranës sot, gjatë së cilës u hodhën edhe mjete zjarrvënëse të improvizuara drejt godinës së bashkisë”, thuhet në reagimin e BE-së. “Këto veprime nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore”.

Gjatë protestës të premten paradite, ku u kërkua dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj, protestuesit, të mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Rithemelimit, u përplasën me efektivët e policisë, si dhe hodhën koktej molotov.

Protestuesit kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe akuzojnë SPAK-un se po e mbron. Kjo nuk është hera e parë që opozita, pjesa e Rithemelimit ka protestuar në derën e Bashkisë. Ky aksion i tyre ka nisur pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni për abuzim me detyrën për dosjen "5D".

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani