Sondazh: Sa prezent është aktiviteti fizik në përditshmërinë tuaj?
  • Çdo ditë 44%
  • Tre herë në javë 19%
  • Vetëm në fundjavë 4%
  • Asnjëherë 33%

"Ngriti traun" në Kapshticë për makinën me drogë ku ishte pasagjer, si u arrestua shefi i Kufirit në Korçë

Nga Artin Halili
30 Nëntor 2023, 19:29 | Aktualitet

"Ngriti traun" në Kapshticë për makinën me

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar këtë të enjte shefin e Kufirit të Korçës, Stiljan Pasho, pasi akuzohet për trafik droge.

Urdhri për ndalimin e 53-vjeçarit ka ardhur nga Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë, pasi Kryekomisari “ka ngritur traun” në Kapshticë për të kaluar drejt Greqisë një automjet brenda të cilit pala helene ka gjetur 26 kg kanabis.

Pasho ka qenë i ulur në vendin e parë, në momentin kur drejtuesi Lorenco Lika ka kaluar në doganë mjetin ku brenda bombolës së gazit ndodhej droga që është gjetur më pas nga autoritetet greke në një banesë në Follorinë.

Informacioni për kryekomisarin ka qenë i administruar nga sektori i AMP Korçë, të cilët në bashkëpunim me Prokurorinë e kanë ndjekur me metoda speciale, prej disa javësh.

"Nga veprimet hetimore të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës Së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, rezulton e provuar se Kryekomisar S. P., me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në DVKM Korçë, në intervale të ndryshme kohore dhe në datë 27.11.2023 ka favorizuar shtetasin L.L. të kalojë kufirin në PKK Kashticë pa ju nënshtruar kontrollit kufitar në automjetin e tij, si dhe duke urdhëruar vartësit e tij për mos kryerjen e kontrollit në mjetin e këtij shtetasi. Në lidhje me këtë procedim penal është bashkëpunuar ngushtësisht edhe me homologët e policisë Greke nëpërmjet Pikës së Bashkëpunimit Policor Greqi–Shqipëri, ku si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë e mundur kapja e 26 kg lëndë narkotike në shtetin grek", njofton AMP.

Pasho ka shoqëruar Lorenco Likën për të kaluar mjetin tip "Passat" nga pala shqiptare drejt kufirit grek, duke e kaluar edhe vetë kufirin. Më pas ai ka dalë nga mjeti, duke u kthyer mbrapsht. Ky nuk ishte rasti i vetëm kur Kryekomisari kishte lëvizur edhe vetë në të njëjtin mjet me shtetasin e arrestuar, fakt ky i provuar edhe nga sistemi TIMS dhe kamerat e sigurisë.

Nga deklarimet e punonjësve të pikës kufitare të Kapshticës, ata kanë pranuar se kanë qenë të trysnuar nga Kryekomisari për të mos kontrolluar mjetin. Informacionet janë përcjellë tek homologët grekë të cilët bënë kapjen e drogës dhe arrestimin e dy të rinjve në Follorinë.

Po ashtu dyshohet se në vetëm një muaj 53-vjeçari ka shfrytëzuar të paktën në 4 raste postin për t'i hapur rrugë trafikantëve të drogës për transportin e lëndës narkotike drejt Greqisë.

Arrestimin e Pashos e njoftoi edhe vetë ministri i Brendshëm Taulant Balla, duke vlerësuar punën e AMP në procesin vetë-pastrues të radhëve të uniformave blu.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi