Noka i nxori foton me shall pionieri, reagon kreu i Gjykatës së Lartë: Akti historik nuk mund të njehsohet me komunizmin

Nga A2 CNN
25 Janar 2024, 10:07 | Aktualitet

Noka i nxori foton me shall pionieri, reagon kreu i Gjykatës së

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka reaguar në lidhje me një foto të publikuar së fundmi nga deputeti demokrat Flamur Noka, ku ai së bashku me kreun e bashkisë së Vlorës, prefektin dhe deputetin socialist Sina, shfaqen në një aktivitet, teksa mbajnë mbi supe një shall pionieri, i cilësuar gjerësisht si një simbol i rinisë komuniste.

Sadushi sqaron se fotoja është bërë në një ngjarje përkujtimore për brigadën e 5 sulmuese, ku një prej themeluesve ka qenë dhe babai i tij.

“Tri njësi administrative, bashkitë e Vlorës, Himarës dhe Selenicës, në datën 20 janar 2024, organizuan në mënyrë të përbashkët një veprimtari në kujtim dhe nderim të 80-vjetorit të krijimit të Brigadës së Pestë, një nga formacionet më të njohura luftarake shqiptare, pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, që ka kontribuar në çlirimin e vendit dhe ka luftuar në Kosovë e deri në Sanxhak të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë aktivitet jam ftuar mes qindra të tjerëve, me cilësinë e pjesëtarit të familjes së një prej themeluesve të kësaj brigade, babait tim Maliq Sadushi”, shkruan Sadushi.

Më tej, kreu i Gjykatës së Lartë shkruan se të gjitha sakrificat dhe aktet historike gjatë luftës kundër nazifashizmit, nuk duhet të lidhen me komunizmin që u instalua më pas.

“Ngjarjet e rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e kujtesës dhe trashëgimisë historike të të gjitha vendeve të rreshtuara në aleancën e madhe antifashiste të kohës. Askund dhe askush në këto vende nuk gjykon se nderimi i asaj përpjekjeje titanike të njerëzimit dhe botës demokratike ka të bëjë me ngjyrime ideologjike të lidhura me të sotmen.

Dita e çlirimit në Shqipëri apo 9 maji, dita e fitores mbi nazifashizmin që përkujtohet në të gjithë Evropën nderohen zyrtarisht nga ata që besojnë se antifashizmi është një vlerë morale e njerëzimit. Nderimi dhe solemniteti përballë veprës së atyre të rinjve, një pjesë e të cilëve edhe martirë, që morën pjesë në luftë, njëlloj si moshatarët e tyre antifashistë kudo në botë, është detyrim moral i gjithkujt, i çdo patrioti që do atdheun. Një akt historik nuk gjykohet, duke e njësuar atë me regjimin komunist që u instalua pas çlirimit të vendit dhe për këtë nuk mund të akuzohen edhe çlirimtarët antifashistë, që si qëllim patën veçse çlirimin e vendit të tyre”, shton Sadushi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos