“Nga dita e djeshme ne nuk futemi dot në shtëpi, se aq shi i rrëmbyeshëm që ka rënë na ka bllokuar komplet hyrjen. Na janë mbushur dhomat me gurë”. Është kjo dëshmia e një banori të zonës së kalasë në Vlorë, shtëpia e të cilit ëhstë mbushur me gurë pas reshjeve të dendura të shiut, por fatmirësisht nuk ka të lënduar. Për A2 CNN ai tha se nuk dinë ku të strehohen.
“Dëme të mëdha që nuk kemi as tesha për t’u ndërruar. Kemi bërë thirrje për ndihmë dhen nuk na janë përgjigjur fatkeqësisht. Nuk e dimë se ku do të strehohemi”, thotë ai.
Një tjetër dëshmi vjen për A2 CNN nga pronari i një fabrike në Vlorë i cili thotë se biznesi i tij është dëmtuar shumë dhe vlera e dëmit përllogaritet në 70-80 mijë euro. Sipas tij kjo ndodhi nga papërgjegjësia e hidrovorit, ndërsa nuk pret mbështetje nga autoritetet.
“Jemi dëmtuar jashtë mase, nuk ka ndodhur herë të tjera. Janë të gjitha kanalizimet të sistemuara, ka rënë shi edhe në ditë të tjera por nuk kemi pasur këto probleme, është papërgjegjësia e sistemit të Hidrovorit. Nëse nuk punon edhe një minutë hidrovori, Vlora përmbytet. Ne që kemi dëm e ndjejmë shumë .ne po bëjmë një inventar të saktë, por dëmi është mbi 70-80 mijë euro. Është shumë e dhimbshme për njerëzit që punojnë. Ne nuk kemi pasur asnjëherë mbështetje, përveçse presione nga më të ndryshmet”, tha Kosta Billa për A2 CNN.
(A2 Televizion)