Korça mirëpret përsëri "Shpirtin e Ballkanit", një ngjarje kulturore që po kthehet në traditë në këtë qytet, ku grupe nga gjithë Ballkani sjellin kostumografinë e tyre, veshjet popullore, etnografinë, vallet dhe këngët tradicionale, duke sjell një atmosferë ndryshe për dy ditë në juglindje.
Koreografi i njohur Ali Beli tregon se Ballkani më shumë sesa si nocion gjeografik është një territor i përbashkët kulturor, ku të përbashkëtat mbizotërojnë. Nga ana tjetër, Blerta Belliu, drejtore e Qendrës së Artit dhe Kulturës tregon se këtë fundjavë, folklori është kryefjala në Korçë.
"Ballkani nocion gjeografik, por në tërësinë e saj për kulturën e traditën kanë shumë të përbashkëta. Shpirti i Ballkanit për ne është dashuria që kemi ne dhe popujt e tjerë për trashëgime kulturore. Kostumografia nuk mund të themi është e përbashkët por kanë të veçantat e tyre. Vallet kanë të përbashkëta, pogonishten e kemi bashkë. Ritmi, shpirti, dinamika. Maqedonasit kërcejnë me të njëjtin temperament si ne, grekët, vallet e Kretës".
Blerta Belliu u shpreh se: "Shpirti i Ballkanit është shpirti i folklorit, në edicionin e tij të tetë, sjell Korçës ngjyrë të bukur nga Ballkani por e turizëm. Për here te pare orkestra jonë simfonike bashkohet me atë të Katerinit dhe sjellin muzikën greke e shqiptare se bashku, dy shtete bashkë, një nga gjërat më të bukura. "
Grupet e huaja tregojnë se ndihen të mrekulluar me mikpritjen dhe qytetin. “Është hera e dytë për ne në Korçë, e duam këtë qytet sepse ka ngjyra të bashkëjetesës mes popujve. Ne kemi ardhur me veshjen e thjeshtë ishullore greke. E duam mënyrën sesi na trajtoni, kemi të përbashkëta shumë, për shembull Pogonishten e kemi të dyja vendet”.
“Ne vijmë nga Mal i Zi, hera e parë për ne, kemi sjellë kostumet të Podgoricës, si hera e parë duket një ndjesi e bukur. Ne jemi afër, kemi të përbashkëta, vallet dhe kostumet tona ngjajnë me tuajat”, shprehet një tjetër.
“Nuk ndodh në politikë, nuk ndodh në media por ndodh në kulturë. Ky është Ballkani I vërtetë. Kultura na bashkon, arti na bashkon, vallet, këngët. Është hera e disatë që vijmë dhe jemi si në shtëpinë tonë”, thotë një tjetër.
"Shpirti i Ballkanit "solli grupe nga Mali i Zi, Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja ndërsa grupet shqiptare performuan në pedonale duke sjellë gëzim për banorët e turistët. (A2 Televizion)