Stuhitë e forta përfshijnë Fierin, probleme në furnizimin me energji në disa qarqe, rënie gurësh dhe inerte

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2023, 08:24 | Aktualitet

Stuhitë e forta përfshijnë Fierin, probleme në furnizimin me

Moti i keq në vend me stuhi e rrebeshe ka vijuar edhe përgjatë natës në disa qarqe të vendit, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike, ndërsa në disa zona ka patur rënie gurësh dhe inerte.  

Fier

Qarku i Fierit u përfshi mbrëmjen e djeshme nga stuhitë e forta dhe reshjet e dendura të shiut. Burimet bëjnë me dije se nuk ka patur problematika në sera apo në të mbjellat e stinës në tokat bujqësore.

Ndërsa problematika raportohen vetëm në furnizimin me energji elektrike. Jashtë pune janë disa fidera, ai i Mbrostarit, Daullasit, co 2 , 20 dhe Pulari 2, ndërsa grupet e punës të OSHE ndodhen në terren dhe po punojnë për rikthimin në punë të fiderave të dëmtuar. Ndërkohë nuk ka patur bllokime në akse rrugore apo rrëshqitje dherash.

Vlorë

Edhe në territorin e qarkut Vlorë gjatë natës ka patur reshje shiu me intensitet mesatar dhe të lartë të shoqëruar dhe me erë të fortë. Nga strukturat e Emergjencave Civile pranë 7 bashkive dhe Policisë së qarkut bëhet me dije se rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht. Në bashkinë Konispol si rezultat i shiut dhe erës prej orëve të natës ka mungesë energjie dhe po punohet për kthimin e saj. Në bashkinë Finiq si rezultat i shiu dhe erës janë pa energji fshatrat malorë. Në bashkitë Sarandë, Delvinë, Selenicë Himarë dhe Vlorë nuk ka problematika. Ndërsa situata në vend depozitim e mbetje vazhdon të ketë prezencë tymi.

Elbasan

Në qarkun e Elbasanit gjatë orëve të natës kemi pasur reshje shiu me intensitet mesatar të cilat deri në mëngjesin e sotëm kanë arritur në 50mm. Situata në qark paraqitet pa shumë problematika. Akset rrugore Elbasan-Q.Thanë, Gramsh-Moglicë, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Stërblevë kanë pasur rënie inertesh e gurësh.

Disa akse rurale te bashkisë Librazhd dhe te bashkisë Gramsh e Cërrik kanë pasur inerte dhe depërtim të ujërave në rrugë. Prurjet e lumenjve e përrenjve janë në nivel mesatar.

Ndërprerje të furnizimit me energji elektrike ka patur në një pjese të qytetit të Peqinit, rrethinat e Cërrikut, në Nj.A Labinot Mal, Funare, bashkia Elbasan, Nj.A Shales e Mollas bashkia Cërrik, Nj.A Orenje e Steblevë, bashkia Librazhd dhe Nj.A Porocan bashkia Gramsh, ku po punohet për riparimin e defekteve.

Mesditën e djeshme vendi ynë u përfshi nga stuhia Ciaran, shoqëruar me shtrëngata shiu dhe shkarkesa atmosferike, duke shkaktuar përmbytje rrugësh, probleme në qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve si edhe ndërprerje të energjisë në disa zona. Sipas meteorologëve stuhia do të vijojnë dhe për dy ditët e ardhshme.

Korçë

Vazhdon të jetë e rëndë situata sa i përket furnizimit me energji elektrike në juglindje. Problemet më të shumta janë në zonat malore dhe në disa fshatra të fushës Maliq. Burime zyrtare bëjnë me dije se pa energji nga dje janë fshatra të njësive Çlirim në Ersekë si dhe Dardhas, Çerravë dhe pjesërisht në Velçan në Pogradec. 13 fshatra të njësisë Gorë në Maliq janë po ashtu pa energji si dhe fshatra të njësive Vreshtas dhe Moglicë.

Pa energji që nga dita e djeshme është edhe Panariti i cili është i izoluar nga rrëshqitja  e dherave. Ndërmarrja e shërbimeve në bashkinë Korçë po punon për të hapur rrugën e fshatit Panarit.

Stakime të kontrolluara për shkak të kushteve të vështira atmosferike ka pasur në fshatra të fushës Devoll dhe fshatra të Korçës.

OSHEE ka 16 grupe pune janë në terren të cilët po punojnë për rikthimin e energjisë.

E vështirë paraqitet situata në fshatra të thellë malorë të njësive Dardhas e Velçan në Pogradec ku rrugët janë bërë të pakalueshme si pasojë e reshjeve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos