Reshjet e dendura të shiut që ranë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, gjatë mesditës së të premtes, përmbytën një pjesë të mirë të rrugëve, si dhe shkaktuan probleme në qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve.
Në kryeqytet, Lana doli nga shtrati në disa zona, ndërsa edhe pjesë të unazës u zhytën nën ujë. Në një tjetër lagje të Tiranës, reshjet bënë që një pjesë e mirë e makinave të parkuara poshtë pallateve të banimit të përfundonin pjesërisht nën ujë.
Policia njoftoi se një efektiv ka mbetur i lënduar, pasi është goditur nga një objekt që ka rënë nga lartësia, si pasojë e erës, te “Pallati me Shigjeta”. Reshjet janë shoqëruar edhe me erë të fortë dhe ulje të shikueshmërisë për shkak të dendësisë së reve.
Bashkia ka njoftuar qytetarët që të bëjnë kujdes, pasi kushtet e motit janë ekstreme dhe të tilla do të vijojnë edhe në mbrëmje dhe gjatë natës. Gjithashtu, Bashkia kërkoi shmangien e lëvizjeve të panevojshme.
Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë edhe qytetin e Durrësit, mesditën e të premtes. Për shkak të intensitetit të lartë, shumë rrugë të qytetit u bënë të pakalueshme, duke bërë që uji të arrijë nivelin e trotuareve. Ndërkohë për shkak të kësaj situate meteorologjike, e cila pritet të vijojë edhe gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, nga ana e kapitanerisë së portit është njoftuar pezullimi i daljes në det të hapur të mjeteve të vogla lundruese dhe ato që funksionojnë për qëllime turistike.
Moti i përkeqësuar ka prekur me reshje shiu mesatare dhe erë të fortë edhe qytetin e Shkodrës. Shpejtësia e erës ka qenë e madhe duke shkulur edhe pemë e duke dëmtuar automjetet e parkuara, por fatmirësisht pa persona të lënduar. Edhe në Shkodër, orët në vijim pritet të jenë kritike me reshje të forta shiu dhe erë me shpejtësi të lartë.
(A2 Televizion)