Tregu vendas nuk e do, fasulja e Maliqit në Gjermani nëpërmjet Kosovës

Nga Artin Halili
9 Nëntor 2023, 12:30 | Aktualitet

Fasulja është një nga kulturat bujqësore me cilësi të lartë dhe famë nëse rritet në fushën e Maliqit. Por vitet e fundit fasulja e prodhuar në këtë fushë si ajo kokërrvogël ashtu edhe fasulja pllaqi, nuk po preferohen më as nga tregtarët dhe as nga konsumatori vendas.

Natyrisht që edhe për këtë kulturë bujqësore çmimet janë rritur si për të gjitha kulturat e tjera. Disa nga fermerët që kultivojnë fasulen tregojnë lëvizjet e çmimeve dhe kush janë klientët e tyre në mungesë të atyre vendas.

“Sivjet ka një çmim më të lartë se vitin e kaluar, se prodhimi i sivjetëm është më i ulët. Nuk ka mbetur i pashitur ka kërkesa. Më shumë janë nga kosovarët. Ka edhe nga vendi ynë, por në bazë të çmimit nuk e përballojnë dot. Prodhimi ishte i dobët këtë vit. Vetëm kosovarët vijnë në vendin tonë”, thonë fermerët.

Por cilat janë arsyet që fasulja e fushës së Maliqit pëlqehet më shumë nga tregtarët e Kosovës.

“Ka një shpjegim se prodhimi vendas duke qenë më cilësor importohet nga tregtarët kosovarë të cilët e çojnë në Gjermani, por edhe se në tregun vendas ka hyrë prodhim nga importi”, thotë Arben Dulellari, drejtori i Bujqësisë, Bashkia Maliq.

Nga viti i kaluar çmimi i varieteteve të fasules në Fushën e Maliqit është rritur minimalisht me 20 për qind. Ndërsa tregtarët vendas kanë hequr dorë nga blerja e saj.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni