Agjencia Rajonale e Mbikëqyrjes Policore për qarkun e Durrësit ka nisur një hetim të thelluar për të sqaruar rrethanat e incidentit të ndodhur sot në Komisariatin e Shijakut, kati i dytë i të cilit u shkrumbua nga flakët.
Së bashku me grupin hetimor të ngritur për rastin agjentët e AMP po punojnë për të gjetur shkakun e saktë të rënies së zjarrit, teksa dyshimet paraprake janë për një shkëndijë elektrike në zyrën e ndihmës/specialistit të rendit, shkruan A2.
Sakaq, mësohet se flakët nisën rreth orës 18:30 në katin e dytë të Komisariatit dhe ndërhyrja në kohë e Zjarrfikëses çoi në shuarjen e tyre.
Ndërkohë në pamjet e siguruara nga A2 CNN shihet se kati i dytë i godinës ishte për pak minuta nën pushtetin e flakëve. (A2 Televizion)