Vlora ishte qyteti i goditur më rëndë nga moti i keq me stuhi e erë të fortë që preku Shqipërinë ditën e djeshme, teksa reshjet e dendura të shiut paralizuan qytetin duke shkaktuar përmbytje në rrugë e banesa.
Akset kryesore rrugore si rruga Transballkanike, bulevardi Vlorës, Lungomare, rrugët "Gjergji Araniti", "Gjergj Kastrioti" dhe "Kosova" u zhytën në ujë, ndërsa rrjedha mori përpara makina e madje dhe tre qytetarë.
Zona të shumta të qytetit bregdetar po ashtu mbetën pa energji elektrike, me OSSH që mori masa emergjente duke stakuar disa fidera për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme nga kontakti me rrymën.
Situata në qytetin bregdetar disa orë pas përmbytjeve paraqitet e normalizuar por dëmet në banesa, biznese dhe automjete janë të mëdha. Për të parë nga afër situatën në Vlorë prej orëve të para të mëngjesit ndodhet edhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili morri pjesë në mbledhjen e Komisionit të Emergjencave Civile, ku u diskutuan hapat që do të ndërmerren në vijim, shkruan A2.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes, ministri Vengu deklaroi se forcat e ushtrisë po punojnë për të rikthyer në funksionim normal stacionin e pompimit dhe hidrovorin, një nga katër pompat e të cilit u përfshi nga flakët ditën e sotme.
“Kemi aktualisht ende 250 forca civile dhe ushtarake në terren në zonat e prekura. Mbetet ende një pjesë e pallateve dhe garazheve nën ujë. Të gjitha forcat janë angazhuar që të vihet në funksion të plotë stacioni i pompimit sikundër edhe Hidrovori të vijojë punën në kushte optimale. Jemi në situatë ku po bëjmë të mundur evidentimin e dëmeve. Lagjja historike ka pasur disa problematika, dhe kemi 5 grupe të Bashkisë”, deklaroi ministri, raporton A2.
Vengu tha se shkak kryesor për përmbytjet, përtej reshjeve të shumta ka qenë edhe sistemi i pompimit për shkak se hidrovori s’ka qenë në kushte optimale. Ai paralajmëroi se do të dëmshpërblehen përveç banesave edhe për bizneset për dëmet e pësuara.
"Jemi në një situatë tashmë ku po bëjmë të mundur dhe evidentimi e dëmeve që ti qëndrojmë pranë qytetarëve dhe bizneseve. Lagja historike ka pasur disa problematika dhe është prekur dhe kemi pesë grupe në fakt të bashkisë. Tani është momenti që ti qëndrojmë pranë të gjithë qytetarëve, të evidentojmë dëmet dhe të shfrytëzojmë të gjitha ato instrumente financiarë dhe rregullatorë që i japin mundësinë qoftë bashkisë, qoftë agjencisë kombëtare të Emergjencave Civile që të dëmshpërblejë banorët për të gjitha këto dëme që janë konstatuar, dhe do bëjmë të mundur që në një periudhë shumë të shkurtër të japim dhe resurset e nevojshme financiare. Ka shkaqe objektive, kemi një situatë ku në shumë pak orë kanë vërshuar 20 cm ujë në një zonë gjeografike të limituar dhe pa dyshim që këto janë shkaqet e para objektive. Ka gjithashtu dhe shkaqe teknike që lidhen me situatën e të gjithë rrjetit infrastrukturor dhe evakuimit të ujërave të zeza dhe të bardha në nivel bashkie dhe qarku, dhe këto janë shumë evidente nga të gjitha ekipet sot në terren që nga kolektorët e deri tek hidrovoret dhe stacionet e pompimit situata nuk ka qenë detyrimisht në kushte optimale dhe na duhet patjetër që të reagojmë dhe të përmirësojmë atë përmes investimeve në javët dhe muajt në vijim", tha ministri i Mbrojtjes. (A2 Televizion)