Bastet hapen më 1 prill, fitimet e atyre që luajnë do tatohen me 23%, kusht karta e identitetit

Nga Mario Brakaj
13 Mars 2024, 16:24 | Ekonomi

Pesë vite nga “Fundi i Marrëzisë”, nismës së qeverisë që ulin qepenat e mbi 2 mijë pikave të basteve në gjithë vendi, pas më shumë se një viti diskutimesh, lojërat sportive online do të jenë të ligjshme nga 1 prilli.

Vendimi i publikuar tashmë në fletoren zyrtare përcakton se fitimet e 10 kompanive që do të licencohen për 10 vite, të tatohen me 15 për qind, ndërsa të ardhurat që do të përftohen nga ata që luajnë me plotë 23 për qind.

Me propozim të socialistit Erion Braçe, është vendosur heqja nga përbërja e Komisionit të Licencave pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Komitetin Olimpik Shqiptar.

Komisioni do të licencojë kompanitë që do të mundësojnë ushtrimin e  basteve sportive “online” do të përbëhet nga dy përfaqësues nga Ministria e Financave, një nga ajo e Ekonomisë dhe një nga “mbrojtja sociale”.

Varianti përfundimtar i ligjit për bastet sportive “online” ndalon reklamimin e lojërave të fatit në televizione apo median “online”.

Me ndryshimet e miratuara ligjore, për të luajtur baste sportive “online”, qytetarët do të duhet të regjistrohen me anë të kartës së tyre të identitetit në faqet web ose aplikacionet e licencuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Gjithashtu do të krijohet një regjistër elektronik që do të ndalojë të luajnë ata që kanë varësi apo probleme të tjera me lojërat e fatit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos