Papunësia u rrit në 2023, thellohet tek të rinjtë, bujqësia e industria krizë punëtorësh

Nga Marinela Lina
12 Mars 2024, 15:27 | Ekonomi

Tremujori i fundit i vitit 2023 regjistroi më shumë qytetarë të papunë duke bërë që niveli i këtij treguesi në vend të ngjitet disa shkallë më lart. Në 10.7% u rrit papunësia për moshën 15 vjeç e lart, 0.2% më shumë sesa ishte edhe gjatë muajve të sezonit turistik.

Janë më shumë burra të papunë sesa gra. Edhe pse ky tregues u thellua në fund të 2023, përsëri edhe për gratë papunësia qëndron e lartë.

“Është shumë vështirë të gjesh një punë, të gjesh e ta mbash se nuk gjen më. Patjetër që duhet të ketë vende pune veç në privat punojnë njerëzit se shteti nuk ofron.”

“Jam e papunë. Për gratë duhet të hapen vende pune, të jenë të punësuara të mbajnë veten e vet dhe mos të varen nga të tjerët.”

Më shqetësuese papunësia mbetet tek të rinjtë. Edhe te kjo kategori ky tregues është thelluar më tej. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shënon një rritje 0,6%.

“Është pjesa part-time që nuk i përshtatet orarit të shkollës. Dhe fakti që nuk gjejnë punë për arsimin që kemi përfunduar është e vështirë kjo pjesë, edhe paga normal.”

“Po të rriten si në vendet evropiane të rinjtë do kthehen këtu. Duhet të ketë edhe oferta më të mira pune”

Nga ana tjetër edhe punësimi u ul në tremujorin e katërt të 2023 duke arritur në nivelin e 57.1%.

Sipas sektorëve në terma vjetor është sektori i bujqësisë dhe industrisë që vijuar këtë ritëm ndërsa rritje pësuan shërbimet. Ndërsa në terma tremujor, shërbimet dhe bujqësia kanë shifra negative ndërsa industria në rritje.

Ndalur tek shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës burrat qëndrojnë në nivelin 81.8%, gratë 68.6% dhe të rinjtë 55.3%. Në raport me një vit më parë më shumë burra u angazhuan në tregun e punës dhe më pak gratë e të rinjtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos