Prej kohësh, disa prej bashkive të vogla, madje dhe ato të mesme po vuajnë për specialistë të kualifikuar pasi niveli i pagave nuk i përgjigjet kërkesave të këtyre të fundit.
Nga Shkodra kryeministri Rama propozoi që nga 5 nivele aktualisht, niveli i pagave të jetë vetëm me dy shkallë. Propozimi vlerësohet si pozitiv nga ekspertë të financave vendore.
“Kemi domosdoshmërinë e rivlerësimit të nivelit të pagave të bashkive sepse sot bashkitë e Shqipërisë janë të ndara në 5 nivele duke u bazuar tek numri i banorëve.”, u shpreh kryeministri Rama.
Ndarja nis me bashkitë që kanë deri në 20 mijë banorë, ato me 20 mijë e 1 e deri në 50 mijë, 50 mijë e 1 deri në 100 mijë, 100 mijë e 1 e deri në 200 mijë. Në nivelin e pestë përfshihen bashkitë me 200 e 1 mijë e deri në 400 mijë banorë dhe ato mbi këtë numër.
Por niveli i pagave të bashkive sipas popullsisë ka sjellë mungesë të specialistëve veçanërisht në bashkitë e vogla. Zgjidhja e propozuar nga Shkodra e kryeministrit Rama është kalimi në vetëm 2 nivele.
“Në fakt prej kohësh është kërkuar që kjo të ndryshojë për të kaluar në një sistem më të unifikuar. Kalimi në vetëm 2 nivele pagash do të bëjë që specialistët e mirëfilltë të punësohen e paguhen mirë edhe në bashkitë më të vogla.”, tha Agron Haxhimali, Drejtor i Institutit për Bashkitë.
Aktualisht në Bashkinë Elbasan, që numëron mbi 141 mijë banorë, paga e një specialisti në zyrën urbanistike varion nga 45 mijë e deri në 82 mijë lekë. Për po të njëjtin pozicion pune, paga e specialistit në Bashkinë Pustec luhatet nga 4 mijë në 57 mijë lekë.
“Kalimi në dy fasha do ta ngushtojë diferencën e pagës midis specialisti të Elbasanit dhe atij të Pustecit. Këtu e kam fjalën për pagën bazë pasi vjetërsia në punë dhe specifikime të tjera janë një gjë tjetër.”, tha më tej Haxhimali
Prej kohësh, disa prej bashkive të vogla, madje dhe ato të mesme po vuajnë për specialistë të kualifikuar pasi niveli i pagave nuk i përgjigjet kërkesave. (A2 Televizion)