Ngrihet zyra e rikuperimit të aseteve, policia do të ketë akses edhe në llogaritë bankare

Nga Marinela Lina
7 Mars 2024, 15:27 | Ekonomi

Për gjurmimin dhe identifikimin e të ardhurave, pasurive ose përfitimeve të tjera pasurore që lindin nga një veprimtari kriminale, do të ngrihet zyra e rikuperimit të aseteve nën drejtimin e Policisë së Shtetit. Ministria e Brendshme në dokumentin e nxjerrë për konsultim publik parashikon dhënien e  aksesit në llogaritë bankare. Një kompetencë jo e duhur sipas ekspertëve të sigurisë e cila sipas tyre mund të kthehet në abuzive.

“Hyrja e policisë në llogaritë bankare do të vijë mbi bazën e autorizimit. Sepse duket si një tejkalim kompetencash sepse mund të kemi momente abuzmi. Mos të jetë kjo e drejtë abuzive të shkojë dhe te llogaritë e qytetarëve,  ata do të ishin të ekzpozuar në formë presioni nga këto struktura.”, thotë Fatjon Softa, ekspert sigurie

ZRA (Zyra e Rikuperimit të Aseteve) do të shtrijë aktivitetin e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ndalur edhe në bazë të marrëveshjeve respektive ajo do të ketë mundësinë të veprojë edhe jashtë vendit.

“Të gjitha këto do vijojnë mbi bazën e legjislacionit të vendeve ku ata pretendojnë të bashkëpunojnë nuk mund të veprosh në një shtet tjetër në kuardin e konventave.”, vijon Softa.

Shfrytëzimi i të dhënave të data bazave të Policisë së Shtetit, bashkëpunimi me rrjetin CARIN dhe rrjetet e tjera të rikuperimit të aseteve, komunikimi i drejtpërdrejtë elektronik dhe pavarësia operacionale janë disa nga objektivat që përshkruhen si risi në projektligjin për krijimin e  Zyrës së Rikuperimit të Aseteve.

Ngritja e kësaj zyre përmbush një prej detyrimeve që ka shteti shqiptar në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe forcimit të zbatimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

A2 CNN Livestream

Dita jonë