I ndërtuar gati 13 vite më parë, me një vlerë investimi prej 130 milionë eurosh, termocentrali i Vlorës pritet të vihet në punë së shpejti. Lajmin e dha pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Po pse duhej të kalonte kaq shumë kohë që TEC-i të ndizet?
“TEC- nuk funksionoi sepse impianti i ftohjes, që është një nga funksionet më të rëndësishme të atij TEC-i, i cili duhej të merrte ujë nga deti, nuk arriti të realizojë procesin për të cilin ishte projektuar”, tha gazetari i ekonomisë Bardhi Sejdarasi.
Ndonëse i projektuar me një kapacitet prej 97megavat, me vënien në funksion prodhimi do të rritet në plotë 350 megavat, duke përmbushur kështu qëllimin fillestar...
Të zgjidhte çështjen e mungesës së energjisë në situata krizash apo kur nuk ka reshje.
“Ne na duhet patjetër një aset të prodhimit të energjisë në jug sepse të gjithë energjinë ne e prodhojmë në veri të vendit. Por duke e prodhuar në veri, ne nuk llogarisim humbjet në rrjet gjatë transmetimit. TEC-i do t’i shërbente turizmit dhe nyjeve më të rëndësishme të ndërtuara së fundmi.”
Megjithatë, për njohës të fushës, vënies në punë të TEC-it të Vlorës duhet t’i paraprijë një studim për të kuptuar nëse ja vlen apo jo ndezja e tij, referuar këtu kostove dhe asaj që do të prodhojë.
“Duhet të nxirret më së pari se sa kushton një megavat në hidrocentrale dhe TEC-in e Vlorës. Vetëm kështu mund të kuptojmë nëse ja vlen vënia në funksion tij.”
Projekti për ndërtimin e TECI-it të Vlorës financua nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare), Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe ajo e Investime. Vetëm për mirëmbajtjen e tij deri më tani janë shpenzuar mbi 16 milionë euro. (A2 Televizion)