Shqiptarët duan të ikin, kërkesat për azil mbeten të larta, rriten edhe deportimet

Nga Marjo Brakaj
12 Mars 2024, 15:33 | Ekonomi

Më shumë sesa dëshira, nevoja për një jetë më të mirë po vazhdon t’i shtyjë shqiptarët të ikin. Ndonëse në rënie të lehtë në raport me vitet e mëhershme, më shumë se sa dëshira, nevoja për një jetë më të mirë shtyu 9 mijë e 150 shqiptarë të aplikonin për azil në një nga vendete Bashkimit Europian gjatë vitit të shkuar.

“Sa më tepër pamundësi të kesh, aq më shumë kërkon rrugëdalje. Ndaj ky është pikësynimi kryesor i individëve të cilët kërkojnë të ndryshojnë si në aspektin social dhe ekonomik, ashtu edhe në atë politik të jetesës së tyre.”, thotë Doralda Tanallari, eksperte e zhvillimeve demografike.

Të dhënat nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin tregojnë se gjatë vitit të shkuar, pjesa më e madhe e shqiptarëve kërkuan azil në Francë, ndjekur nga Gjermania, Italia, Greqia dhe Holanda. Po pse nuk po zbehet dëshira e shqiptarëve për të emigruar në një kohë që pagat po rriten dhe premtimet për më shumë mirëqenie nuk mungojnë? “Një njeri me kohën kupton forma dhe mënyra të reja jetese. Këto shkojnë edhe përtej gjendjes ekonomike.”, vijon Tanallari.

Por jo të gjithë ata që aplikojnë për azil arrijnë të marrin statusin; vetëm një pjesë e vogël arrin. Pjesa më e madhe vullnetarisht, ku nuk munguan edhe ato forcërisht, 8 mijë e 241 shqiptarë u riatdhesuan vitin e shkuar. Ky është niveli i dytë më i lartë i kthimeve, pas vitit 2020 të mbizotëruar nga pandemia.

“Ajo çfarë është e rëndësishme që të theksohet është që kjo rritje kishte mbetur deri diku konstante deri para pandemisë. Duhen kuptuar arsyet. Është mungesë informacioni nga ana e qytetarëve lidhur me mënyrën se si Schengen funksionon apo bëhet me vetëdije.”, tha Nirvana Deliu, hulumtuese e politikave evropiane.

Të dhënat nga Eurostat tregojnë se shqiptarët renditen të shtatët në botë për numrin më të lartë të emigrantëve që qëndrojnë në mënyrë të parregullt në një nga vendet e “unionit”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu