BERZH për Shqipërinë: Shkallë e lartë varfërie, kujdes kursin e këmbimit

Nga Marinela Lina
21 Nëntor 2023, 19:34 | Ekonomi


“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim pohon se pavarësisht rritjes ekonomike gjatë vitit të fundit shkalla e varfërisë mbetet ende e lartë”. Kështu e vlerëson Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ecurinë ekonomike të Shqipërisë në raportin e fundit të publikuar “Tranzicioni për vitin 2023-2024”.

Në kushtet aktuale kur niveli i varfërisë është i lartë, BERZH e drejton vëmendjen te ndihma sociale.

Rekomandohet një sistem i indeksimit të përfitimeve ekonomike dhe aftësisë së kufizuar.

“E nevojshme rritja e efikasitetis dhe ndihmës sociale, duke përfshirë një sistem të indeksimit vjetor të përfitimeve ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar”, njofton BERZH.

Marrëdhëniet tregtare të ulëta, inflacioni i lartë i vazhdueshëm, por dhe politikat e shtrënguara monetare sipas BERZH po shkaktojnë ngadalësimin e rritjes ekonomike për 2023-shin.

Banka Europiane këshillon kujdes të shtuar ndaj kursit të këmbimit, ndërsa pas fuqizimit të lekut sheh nivelin rekord të turistëve, remitancat, por dhe investimet e huaja direkte.

“Risku financiar dhe i kursit të këmbimit duhet të monitorohet me kujdes. Sektori financiar është likuid dhe i qëndrueshëm, por duhet mbajtur vigjilencë në dritën e ngadalësimit ekonomik dhe politikës monetare më të shtrënguar”, vijon BERZH.

Duke analizuar sistemin e taksave Banka Europiane ndalet tek disa sugjerime.

“Qeveria duhet të ulë më tej detyrimet e prapambetura, të rrisë raportin e të ardhurave tatimore dhe të përmirësojë përputhshmërinë, duke përfshirë ligjin e miratuar së fundmi për tatimin mbi të ardhura”, përfundon njoftimi.

Zhvillimin në sektorin e turizmit të përkthyer dhe në shifra e të ardhura më të larta, BERZH e konsideron një performancë të mirë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu